Ballina Aktualitet

Inceneratori i Tiranës, Braimllari: SPAK të mbledhë provat në bashkinë e Tiranës

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Kryetari i grupit të këshilltarëve të Partisë së Lirisë në bashkinë e Tiranës, Endrit Braimllari u shpreh sot se SPAK duhet të vijë në bashkinë e Tiranës për të mbledhur provat për çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Përmes një deklarate për shtyp, Braimllari u shpreh se “ka fakte konkrete se si Erion Veliaj është përgjegjësi kryesor për inceneratorin e Tiranës”.

“Veliaj nuk mund t’i shmanget dhënies së përgjegjësisë apo zbatimit të ligjit për sa i përket inceneratorit të Tiranës. Erion Veliaj është përfshirë drejtpërdrejtë në këtë skemë korruptive dhe në gjykimin tonë është ai drejtuesi i këtij grupi të strukturuar kriminal që është edhe korrupsioni i shekullit për sa i përket vendit tonë”, tha Braimllari.

Sipas tij, “Veliaj mashtron kur thotë se nuk kam lidhje me inceneratorin e Tiranës, sepse është përfshirë në procedurat direkte konkrete duke firmosur emërimin e dy drejtorëve të bashkisë në komisionin për dhënien me koncesion”.

“Është ky komision që ka tjetërsuar fatin e koncesionit të inceneratorit të Tiranës. Veliaj ka rrëmbyer kompetencat e këshillit bashkiak në kundërshtim me ligjin. Një vendim që duhet ta merrte këshilli bashkiak e ka marrë Veliaj, i vetëdijshëm prë shkeljen e ligjit, por mbi të gjitha për zaptimin e kompetencave të këshillit bashkiak. Këshilli bashkiak merr çdo vendim për buxhetin e Tiranës. Dy drejtorët kanë dalë garantë për fondet dhe vazhdimin e  procedurave për sa i përket bashkisë Tiranë”, tha ai.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakForcohet euroja në këmbim me lekun, bie dollari
Artikulli tjetërCOVID-19 – BM regjistron një përhapje të variantit Eris