TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Spitali Universitar i Traumës do të integrohet me Spitalin Ushtarak të Forcave të Armatosura.
Vendimi i marrë nga Këshilli i Ministrave me propozimin e Ministrit të Shëndetësisë dhe Ministrit të Mbrojtjes është botuar në fletoren zyrtare.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave në vendimin nr.1001, të 2 dhjetorit 2015 “Për integrimin e Spitalit Universitar të Traumës dhe Spitalit Ushtarak të Forcave të Armatosura në një strukturë të bashkuar”, bëhen këto ndryshime: Në bazën ligjore, togfjalëshi “të ligjit nr. 9106, datë 17.7.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë” zëvendësohet me “të ligjit nr. 55/2022, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”; Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon: “Struktura organike e integruar e Spitalit Universitar të Traumës hartohet dhe miratohet nga ministri përgjegjës për shëndetësinë dhe ministri i Mbrojtjes, sipas përgjegjësive specifike”.
Kudo në përmbajtjen e vendimit, emërtimet “Ministrisë së Shëndetësisë”, “Ministria e Shëndetësisë”, “ministri i Shëndetësisë” dhe “ministrit të Shëndetësisë” zëvendësohen përkatësisht, me fjalët “ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë”, “ministria përgjegjëse për shëndetësinë”, “ministri përgjegjës për shëndetësinë” dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë”.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen ministria përgjegjëse për Shëndetësinë dhe Ministria e Mbrojtjes.
/k.s/r.e/






















