TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Në plazhin e Velipojës po vijon aksioni i nisur në fundjavë për pastrimin nga inertet dhe mbetjet e tjera të hapësirave në afërsi të pedonales si dhe heqja e tabelave dhe reklamave të instaluara përgjatë saj.
Pas heqjes së disa tonëve inerte, të lëna nga subjektet që veprojnë në këtë plazh si dhe të disa tabelave, tashmë një pjesë e pedonales dhe hapësira ranore në anë të saj ofrojnë një tjetër pamje.
Krahas vazhdimësisë së këtij aksioni në gjithë hapësirën e plazhit të Velipojës, bashkia Shkodër deklaron se do të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme sa i takon mirëmbajtjes së territorit.
Në rastet e konstatimit të ndotjes dhe të zënies së hapësirave, subjektet do të gjobiten sipas ligjit si dhe do të paguajnë koston e lirimit të hapësirës.
/r.e/






























