TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Kandidati fitues i Partisë Socialiste për kryetar bashkie në Rrogozhinë, Edison Memolla falënderoi sot qytetarët për besimin.
Në një prononcim për medie, Memolla garantoi se zotimi i tij është kthimi i Rrogozhinës në një qytet elitar.
“Kam një falënderim për popullin e Rrogozhinës të majtë e të djathtë që më besuan. Ju jam mirënjohës atyre për të gjithë mbështetjen, të gjithë bashkëpunëtorët e mi dhe familjarët e mi”, tha ai.
Sipas Memollës, në zgjedhjet e 23 korrikut nuk kishte surpriza.
“Ne morëm mesazhin e 14 majit për defektet që kishim, mësuam nga gabimet dhe në këto 2 muaj punuam fort. Kishim mundësi të rikuperonim dhe të kërkonim ndjesë. Rezultati tregoi që ja dolëm”, tha ai.
Memolla theksoi se “kjo tregon që programi ynë ka qenë më i mirë se programi i kandidatit tjetër”.
“Gjatë kësaj kohe ka qenë një fushatë shtëpi më shtëpi. Ka qenë kjo gjë që ne na kanë ndikuar. Kanë qenë dy muaj punë intensive duke kërkuar dorën e bashkëpunimit për ta kthyer në punë. Zotimi im më i madh është kthimi i Rrogozhinës në një qytet elitar”, tha Memolla.
/m.m/r.e/























