Ballina Bota

METEO – Spanja ”shkrin” në 43°C

MADRID, 19 korrik /ATSH-DPA/ – Kulmi i valës së tretë të të nxehtit të verës në Spanjë i bëri vendasit dhe turistët ”të shkriheshin”, shkruan media vendase.

“Të gjithë jemi duke u mbytur, pasi nuk marrim dot frymë”, tha prezantuesja e njohur  Silvia Intxaurrondo para kamerave të kanalit televiziv shtetëror spanjoll, RTVE.

Gazeta dixhitale ”OK Diario” kishte titullin “Spanja shkrihet këtë javë”.

Në një kafene në Madrid, turistja meksikane Elsa tha se “jam mësuar me vapën, por kjo është shumë e vështirë. Këtu nuk fryn erë”.

Nuk ishte Madridi apo rajoni i Andaluzisë, i cili njihet për nxehtësinë e padurueshme të verës, ai që u godit më keq, por, ndër të tjera, destinacioni i njohur turistik i Majorkas, me shërbimin kombëtar të motit AEMET që njoftoi temperaturat maksimale të paktën 43 gradë Celsius për veriun dhe lindjen e ishullit mesdhetar spanjoll.

Në plazhin e famshëm Playa de Palma në jug të ishullit, temperaturat prej 38 gradësh u matën herët pasdite, sigurisht në hije.

Nivele të ndryshme të alarmit të nxehtësisë u aplikuan në 13 nga 17 komunitetet autonome të vendit.

Shumë spanjollë i shikonin me zili banorët e rajonit të Cantabria në veri, ku temperaturat vetëm pak mbi 20 gradë u regjistruan dje.

Vala e të nxehtit pritet të përfundojë më së voni nesër./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Macron: Rusia po përdor ushqimin si armë
Artikulli tjetërTemperaturat e larta, Balla: Mirënjohje dhe falenderime për Policinë Rrugore