TIRANË, 12 korrik/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri mohoi sot pretendimet e prokurorisë për pagesën e hotelit gjatë një udhëtimi në Vjenë nga Klodian Zoto.
Në një reagim për BIRN, Gjiknuri sqaroi se ka fjetur në hotel të paguar nga Ministria dhe se për udhëtimin, i gjithë dokumentacioni, përfshirë faturat, janë dorëzuar në Ministri.
Gjiknuri u shpreh se dokumentacionin nuk e ka vetëm Ministria, por e disponon edhe ai vetë personalisht.
“Të gjitha udhëtimet e mia jashtë vendit kanë qenë në linjat e zakonshme të fluturimit, vizita zyrtare në detyrën e ministrit. Fakte këto që mund të vërtetohen lehtësisht duke konsultuar dokumentet zyrtare të ministrisë: urdhërshërbimet, qëllimin e udhëtimit, nisjen dhe destinacionin”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri sqaroi se “referuar rastit konkret dhe datës të cilën ju e citoni për një udhëtim në Vjenë, ju siguroj se prokuroria, ministria të cilën unë drejtoja por edhe unë personalisht disponojmë praktikën e urdhërshërbimit, biletat e avionit dhe rezervimin e hotelit ku kam fjetur, të gjitha të paguara me fatura nga institucioni që unë drejtoja si titullar”.
“Për informacion, hoteli ku unë kam fjetur nuk është ai të cilit ju i referoheni, por një tjetër. Të dhënat konkrete, emri i hotelit dhe pagesat janë pjesë e dokumentacionit që disponohet nga ministria përkatëse”, tha Gjiknuri.
/k.s/r.e/






















