Ballina Flash

Fiebig: Shqipëria destinacion turistik me të ardhme të shkëlqyer në tregun gjerman

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ “Shqipëria si një destinacion turistik ka një të ardhme të shkëlqyer në tregun gjerman, pasi ka kaq shumë për të ofruar”.

Kështu u shpreh Norbert Fiebig, president i shoqatës më të rëndësishme të turoperatorëve gjermanë, i cili vizitoi ditët e fundit Shqipërinë.

Agjencia Kombëtare e Turizmit ndau në rrjetet sociale një video me përshtypjet e Fiebig rreth Shqipërisë turistike.

“Në mbyllje të vizitës disaditore në disa nga destinacionet më të bukura turistike në vend, Norbert Fiebig, President i Shoqatës më të rëndësishme të turoperatorëve gjermanë, shpreh përshtypjet e tij rreth Shqipërisë turistike. I mahnitur nga natyra, sitet arkeologjike, kulinaria dhe lehtësia për të aksesuar trashëgiminë e pasur kulturore të vendit tonë, Fiebig u shpreh entuziast për Shqipërinë si destinacion turistik dhe për vijimin e bashkëpunimeve të tjera të suksesshme, për të rritur numrin e vizitorëve gjerman në vendin tonë”, theksoi AKT.

Sipas AKT, tashmë me aplikacionin TEA të shkarkuar në telefonat e tyre dhe me entuziazmin për këtë risi që të mundëson informacion rreth eventeve turistike të Shqipërisë, delegacioni i shoqatës së turoperatorëve gjermanë u shpreh i gatshëm ta bëjnë aplikacionin TEA pjesë të paketave të tyre turistike.

“Në gjykimin tim Shqipëria është shumë interesante si destinacion turistik, për njerëzit që kanë eksploruar destinacione të tjera rreth detit Mesdhe. Shikon diçka të veçantë këtu në Shqipëri, shumë gjëra po ndodhin këtu. Kanë krijuar një aplikacion që quhet TEA, mund ta shkarkoni në telefonin tuaj dhe ju tregon çdo ditë, në çdo vend ç’po ndodh në aspektet kulturore. TEA është aplikacioni që ju duhet të keni. Shqipëria është në mendjen e industrisë gjermane të udhëtimit, por jo mjaftueshëm deri tani”, tha Fiebig.

Ai u shpreh se “Shqipëria ka shumë për të ofruar. Unë nuk kam qenë më parë këtu, kisha disi pritshmëri por ajo që kam parë dhe kemi përjetuar nga ana infrastrukturore, e mikpritjes dhe kulinarisë që na bëri të ndihemi të magjepsur”.

“Ajo që ne synojmë me njerëzit përgjegjës këtu në Shqipëri në aspektin turistik ne duam të krijojmë më shumë trafik të turistëve. Ata do të shikojnë diçka që nuk e kanë pritur, ajo për të cilën ne jemi të përkushtuar në tregun gjerman. Ne jemi të përkushtuar për t’i treguar klientëve tanë potenciale, destinacione të reja”, tha Fiebig.

Më tej Fiebig theksoi se “Shqipëria është një destinacion i ri që ka kaq shumë për të ofruar dhe të gjithë janë të ftuar për të përjetuar të njëjtën eksperiencë si ne, që në një mënyrë apo tjetrën ramë në dashuri me të”.

Shqipëria me bukuritë e saj natyrore dhe të trashëgimisë kulturore po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj dhe veçanërisht atyre gjermanë.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGREQI – Dhjetra emigrantë shpëtohen në jug të vendit
Artikulli tjetërDhurohen dokumente mbi “Luanin e Janinës”