TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Në drejtimin e kryetarit Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat, në mbledhjen e tij të radhës dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës shqyrtoi 2 draftrezoluta të dy institucioneve të pavarura dhe zhvilloi një seancë dëgjimore me përfaqësues të Kontrollit të Lartë të Shtetit lidhur me raportin vjetor të veprimtarisë së këtij institucioni për vitin 2022.
Fillimisht komisioni nisi shqyrtimin e draftrezolutave për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe INSTAT për vitin 2022. Komisioni miratoi draftrezolutën për INSTAT, ndërsa për AMF u vendos shtyrja e votimit. Në draftrezolutën për INSTAT, ndër të tjera komisioni rekomandoi që për vitin 2023 të përmirësojë punën në drejtim: të zbatimit me cilësi dhe në kohë të Censit të Popullsisë dhe Banesave, duke u bazuar në përcaktimin e qartë të vizionit dhe objektivave strategjikë për kryerjen e Censit, si dhe duke e konsideruar atë instrument kryesor për procesin e negociatave; finalizimin e dokumenteve strategjikë të Censit të Bujqësisë, zbatimin dhe monitorimin e strategjisë së komunikimit për promovimin e Censit të Popullsisë dhe Banesave, i cili është thelbësor për të siguruar ndërgjegjësimin statistikor, rritjen e besueshmërisë dhe pjesëmarrjen e popullatës në këtë proces; të finalizojë dokumentet strategjikë të Censit të Bujqësisë, të cilat do të shërbejnë për të planifikuar elementët më të rëndësishëm modernizimin e metodave të mbledhjes së të dhënave dhe prodhimit statistikor të Sistemit Kombëtar Statistikor, etj.
Komisioni vijoi më pas me dëgjesën me përfaqësues të Kontrollit të Lartë të Shtetit, lidhur me veprimtarinë e institucionit për vitin 2022.
Raporti u paraqit nga kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, i cili në fjalën e tij u fokusua në veprimtarinë audituese të institucionit, gjetjet dhe rekomandimet e lëna, përmbushjen e detyrimeve në procesin e integrimit europian dhe ato të lëna në Rezolutën e Kuvendit, etj.
Lidhur me numrin e auditimeve, Shehu raportoi se, për periudhën janar-dhjetor 2022, KLSH ka evaduar 177 misione auditimi në 205 subjekte auditimi.
Kreu i KLSH sqaroi më tej se, veprimtaria audituese e KLSH-së për vitin 2022 bazuar në risk, është fokusuar në identifikimin e shkeljeve, mangësive në sistemet e kontrollit në aktivitetin e subjekteve të audituara me pasoja në buxhetin e shtetit, të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe të shoqërive publike, si dhe në administrimin e pronës publike.
“Nga auditimet e kryera në vitin 2022 janë konstatuar 1,508,739 lekë dëm ekonomik, nga të cilat 52 % në fushën e të ardhurave dhe pjesa tjetër në shpenzime. Dëmi ekonomik në fushën e të ardhurave është evidentuar kryesisht në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore etj., ndërsa në shpenzime, 91 % i përket dëmit në shpenzimet për investime dhe pjesa tjetër në shpenzimet operative, në fushën e pagave, etj.”, u shpreh Shehu.
Lidhur me rekomandimet, kreu i KLSH sqaroi se për vitin 2022 janë adresuar 5420 rekomandime, nga të cilat: 52 propozime për përmirësime ligjore; 3283 masa organizative; 1047 masa disiplinore dhe administrative, 352 masa për shpërblim dëmi dhe 686 masa për efekte negative në buxhet.
“KLSH ka referuar pranë Prokurorive të rretheve gjyqësore 4 kallëzime penale për 16 zyrtarë të niveleve të ndryshme, si dhe për 7 vendime të Kryetarit të KLSH-së, është kërkuar trajtimi tekniko-juridik i gjetjeve të konstatuara në Raportin Përfundimtar të Auditimit, për vlerësim të elementëve penalë dhe referim pranë organit të prokurorisë, raste këto të cilat më pas i janë dërguar Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar dhe kërkesës së këtij organi”, u shpreh Shehu.
Deputetja Enslemvera Zake, në cilësinë e relatores së raportit vlerësoi punën e bërë nga KLSH në drejtim të zbatimit të detyrimeve institucionale dhe kushtetuese, rekomandimeve të lëna nga Kuvendi, duke saktësuar se për vitin 2022 janë përmbushur plotësisht 7 nga 10 rekomandimet e lëna.
Zake bëri një përmbledhje të auditimeve dhe rekomandimeve të lëna nga KLSH për institucionet e pushtetit qendror, institucioneve të pavarura, rasteve të kallëzuara në Prokurori, etj.
Lidhur me problematikat e hasura, Zake përmendi mungesën e informacionit rreth proceseve gjyqësore ku KLSH është angazhuar përgjatë vitit 2022, rënien e auditimeve të departamenteve të Auditimit IT dhe Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit; mospublikimin e vendimeve të Kryetarit të KLSH, etj.
Më pas Shehu iu përgjigj pyetjeve të ndryshme të deputetëve.
/r.e/























