Ballina Flash

Nikolla: Kim kontribut për forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti sot në një takim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në vendin tonë.

Nikolla vlerësoi kontributin e ambasadores Kim për forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe miqësisë mes dy popujve.

“Misioni juaj në Shqipëri ishte mjaft i suksesshëm. Gjatë shërbimit tuaj u shënua 100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara”, tha ajo.

Ajo vlerësoi edhe kontributin për rritjen e rolit të Shqipërisë në bashkëpunimin e integrimin rajonal dhe forcimin e partneritetit në NATO dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Shqipëria filloi negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Avancoi reformat e rëndësishme, sidomos reformën në drejtësi, vijimin e vetting-ut, plotësimin dhe bërjen funksionale të organeve të qeverisjes së sistemit, i dha fund kulturës së pandëshkueshmërisë. U rrit roli i Shqipërisë në zhvillimet, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal, u forcua partneriteti strategjik shembullor mes Shqipërisë dhe SHBA në NATO dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, deklaroi Nikolla.

Nikolla i shprehi mirënjohjen edhe për mbështetjen e dialogut Kosovë-Serbi.

“SHBA mbështetën dialogun Kosovë-Serbi dhe zgjidhjen sipas Planit Europian të këtij dialogu dhe bashkëpunimit mes dy vendeve”, theksoi Nikolla.

Kryetarja i uroi ambasadores Kim suksese në vijimin e karrierës në Departamentin e Shtetit dhe shprehu bindjen se kudo që të punojë dhe kudo që të ndodhet, do të jetë gjithmonë një mike e mirë e shqiptarëve dhe e Kuvendit të Shqipërisë.

Ambasadorja Kim nga ana e saj vuri në dukje se ishte me fat që shërbeu në Shqipëri, në kohë domethënëse për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe në kohë të vështira të zhvillimeve ndërkombëtare.

Ambasadorja Yuri Kim përfundon mandatin e saj në vendin tonë, ndërsa pritet ambasadori i ri amerikan, David Kostelançik, diplomat me karrierë të gjatë në DASH.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZhvlerësohen valutat në raport me lekun
Artikulli tjetërFerma blegtorale me cikël të mbyllur, Krifca: Modeli që krijon më shumë të ardhura dhe vende pune