Ballina Bota

TALIN – Estonia ndalon hyrjen e Patriarkut Kirill

TALIN, 9 qershor /ATSH-ANSA/ – Ministria e Jashtme e Estonisë ka komunikuar sot një listë me 67 shtetas rusë të akuzuar për mosrespektim të të drejtave të njeriut dhe për persekutim të kundërshtarit Vladimir Kara-Murza, të cilit i ndalohet hyrja në Estoni.

Midis tyre është edhe emri i patriarkut të Kishës Ortodokse Ruse, Krill.

Duke komentuar vendimin, ministri i Jashtëm estonez Margus Tsahkna tha se ndalimet e hyrjes u vendosën për këta njerëz si autorë ose bashkëpunëtorë në shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut.

“Patriarku Kirill është një nga mbështetësit më të mëdhenj të ideologjisë së Putinit. Më në fund ai është futur në listën e zezë, pasi justifikoi dhe favorizoi luftën kundër Ukrainës”, theksoi Tsahkna.

Tsahkna u ka kërkuar të gjitha vendeve aleate të lëshojnë ndalime të ngjashme hyrjeje “kundër të gjithë mbështetësve dhe autorëve të krimeve të Rusisë”.

Tsahkna shtoi se ‘’Estonia do të vazhdojë të punojë për lirimin e pakushtëzuar dhe të menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë në Rusi dhe për të kërkuar përgjegjësi nga organizatorët e represioneve’’.   /os/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDrafti për Asociacionin e komunave serbe, Rama: Kontribut i Shqipërisë si shtet vëlla me Kosovën
Artikulli tjetërProgrami i kodimit, deri tani 3000 aplikime nga të rinjtë