TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka refuzuar të jetë kryetare e komanduar e PD-së, teksa ka prezantuar një platformë me 5 pika për bashkimin real të demokratëve.
Qëndrimin e saj, nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku e ka bërë publik, në mbledhjen e kryesisë të thirrur sot nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Tabaku falënderoi Enkelejd Alibeajn, që udhëhoqi PD pas largimit të Lulëzim Bashës deri në betejën elektorale të 14 majit.
“Mospjesëmarrja në zgjedhjet e 2019, largimi nga parlamenti, mos funksionimi si duhet në terren, angazhimi në revolucione dhe premtime që në fakt kishin synim ngritjen e moralit të bazës sonë por që na sillnin humbje edhe më të mëdha. Ndërsa, fatkeqësisht që pas 2021 e shpenzuam kohën tonë për një betejë të brendshme, por kjo jo aq prej fajit tonë më shumë se sa një përgjigje hera herës e padëshiruar ndaj atyre që mendonin se duke na fyer mund të fitonin. Por, sikundër dhe vërtetuan këto zgjedhje askush nuk e pëlqen një forcë politike që ulëret në kundërshti dhe nuk ofron dot një alternativë”,- tha Tabaku.
Nënkryetarja e PD, po ashtu veçoi ndasinë e brendshme të PD, si një nga shkaktaret kryesore që selia blu humbi edhe Shkodrën, që konsiderohet si bastion i të djathtës.
“Duke pasur parasysh këto gabime të vazhdueshme, që kanë mbjellë një kulturë pafuqie dhe humbësi, të pamerituar tek demokratët, mendoj dhe besoj se ne duhet të përpiqemi të paktën kësaj here ku kemi arritur, që t’i bëjmë gjërat ndryshe. E provuam disa herë këtë rrugën dhe rezultati qe katastrofik aq sa dhe Shkodra që i duroi dhe 2019 sot nuk është më e jona. Kësaj i shtohet dhe lufta e brendshme që na ka shpërbërë dhe shkërmoqur thuajse plotësisht. Mbase ia kemi dalë paq me këtë rezultatin kësaj radhe. Por, kjo nuk është garanci për të vazhduar po njësoj. Prandaj, jemi ne që duhet të ndryshojmë dhe të kemi një qasje tjetër që të jemi shpresë për shqiptarët dhe demokratët. Me pak fjalë të jemi alternativa e një shumice që sot ka votuar me heshtjen e mos-votimit”, u shpreh Tabaku.
Ajo nënvizoi se dy herë ka refuzuar të jetë kryetare e komanduar e PD.
“Një vit më parë, z. Basha më propozoi që pas dorëheqjes së tij të merrja rolin e kryetares së emëruar të PD. Një mundësi që e refuzova! E risjell në vëmendje këtë ngjarje që mbase pakkush e di, për t’ju evidentuar faktin se nuk po kërkoj sot diçka nga halli im personal apo një ambicie ime e fshehur aty me kujdes. Përkundrazi, qëllimi im është që të nxjerrim nga ky batak ku ka rënë forca jonë politike. Nuk ka asgjë të keqe të kesh ambicie në politikë, është njerëzore, por në situatën ku ndodhemi besoj që prevalon interesi i përbashkët më shumë se ai vetjak, e për këtë arsye, kam vendosur që të mos e pranoj propozimin e z. Bardhi për drejtimin e komanduar të Partisë Demokratike”, vijoi Tabaku.
Ndërkohë ajo ka bërë publike në mbledhjen e kryesisë dhe propozimin e saj për një proces real bashkimi për këtë forcë politike.
“Por, sa kohë që jam këtu dua t’i japim demokratëve një proces real, e një mundësi bashkimi që gjykoj është i rëndësishëm si dhe një proces riorganizimi për një forcë politike moderne”, tha Tabaku.
Për këtë arsye propozoj: 1. Ngritjen e një grupi drejtues me 3 persona me eksperiencë të cilët do të çojnë Partinë Demokratike në zgjedhje nga poshtë-lartë. Kjo duhet të përfshijë dhe një proces ri-anëtarësimi duke pasur parasysh situatën reale në të cilën ndodhet sot PD. Sot askush nuk e di anëtarësinë reale të Partisë Demokratike, dhe nuk pranoj dot të më thoni që anëtarësia është e plotë.
2. Hapjen e procesit të analizës dhe nisjen e një diskutimi me demokratët se ku dhe çfarë gabuam. E këtu kam fjalën një analizë reale politike me çdo kuti për të kuptuar potencialin e humbur dhe atë që mund të rifitojmë. Gjithashtu për të dhënë mundësi reale bashkimi në bazë përmes një proces reflektimi pasi ne nuk mund të jemi të hapur me disa; po bashkimi me të gjithë ato demokratë që për 10 vite janë lodhur duke qenë humbës, është e pafalshme dhe e padrejtë të përsërisim 6 marsin e 14 majin.
3. Dixhitalizimin dhe modernizimin duke synuar shndërrimin e saj në kapilare nga një forcë politike elektorale që kemi qenë këto vite. Përhapjen e Partisë Demokratike tek të rejat edhe të rinjtë duke rivitalizuar dhe rishikuar përmirësimin e strukturave si ajo e FRPD, LDG edhe jo vetëm.
4. Caktimin e 12 drejtuesve për të 12 qarqet të cilët do të fillojnë punën në terren dhe do të jenë në mbështetje të grupit drejtues të përkohshëm.
5. Rënien dakord me një proces që do të na bëjë nder ne, që të promovojmë njerëz të vjetër e të rinj me integritet, me meritokraci, pa skema e intriga, dhe do t’i japim kohë reale demokratëve të gjykojnë për të ardhmen”,- përfundoi Tabaku.
Partia Demokratike prej dy ditësh është duke zhvilluar mbledhje të strukturave të saj në kuadër të riorganizimit, pas zgjedhjeve të humbura në 14 maj.
PD ka paralajmëruar nisjen e një procesi për zgjedhjen e lidershipit të ri të saj. Në vendimin e marrë një ditë më parë nga Kolegji i Kryetarëve të PD, është vendosur që brenda datës 15 korrik të përfundoi procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të Partisë Demokratike.























