Ballina Aktualitet

Xhaçka: Shkodra, e rëndësishme për zhvillimin e rajoneve ndërkufitare

TIRANË, 19 maj /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka tha se, Shkodra ka qenë gjithmonë në qendër të përpjekjeve të Ministrisë së Jashtme për zhvillimin e rajoneve ndërkufitare me projekte të përbashkëta.

Në fjalën e saj gjatë turit të mirënjohjes, të nisur nga kryeministri Edi Rama në Shkodër ajo tha se, “Shkodra është shumë e rëndësishme për punën e Ministrisë së Jashtme për të njëjtën arsye që e ka bërë Shkodrën të rëndësishme ndër shekuj, sepse Shkodra është portë hyrëse e Shqipërisë ose thënë më mirë është një urë që na lidh me botën dhe si e tillë Shkodra ka qenë gjithmonë në qendër të përpjekjeve të Ministrisë së Jashtme si për intensifikimin e dialogut politik, rritjen e bashkëpunimit me vendet fqinje, por edhe në qendër të përpjekjeve tona për zhvillimin e rajoneve ndërkufitare me projekte të përbashkëta”.

Xhaçka tha se, “vendimi që kaloi dje në parlament për ndërtimin e urës mbi Bunë do t’u japë një hov shumë të rëndësishëm këtyre projekteve dhe në aspektin turistik, duke e ndërlidhur Shkodrën me tregun rajonal turistik, qoftë në shkurtimin e distancave të Shkodrës dhe Velipojës me tregun rajonal turistik”.

Ministrja shtoi se, “në fokus të punës tonë është edhe puna me Malin e Zi, ku në fokus janë dhe pikat e reja kufitare, investimet e mëtejshme në infrastrukturë, qoftë rrugore, hekurudhore dhe ujore. Patjetër, me ambicien që këto investime të lidhen dhe me korridoret evropiane. Janë paketat e përbashkëta turistike dhe jo më pak e rëndësishme, janë aksionet e përbashkëta për politika apo projekte të përbashkëta, të cilat sjellin ruajtjen dhe menaxhimin e integruar dhe të qëndrueshëm të liqenit të Shkodrës dhe zonave përreth, por dhe të ujërave të tjera të përbashkëta”.

Xhaçka tha se, “tanimë jam e bindur që të gjitha këto iniciativa do të marrin një hov të ri, do të kenë më shumë vlerë dhe do t’ia dalim që ta rikthejmë Shkodrën në vendin që i takon, jo thjesht si qytet i bukur, por si një qendër e mirëfilltë rajonale turistike”.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakITALI – Katërmbëdhjetë të vdekur pas përmbytjeve në Ravena
Artikulli tjetërÇuçi: Kontroll të plotë të territorit në të gjithë bashkinë e Shkodrës