TIRANË, 18 maj /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së Sali Berisha deklaroi sot se “Brava” dhe “Alibasha” janë të përjashtuar përfundimisht nga PD.
Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se tha se “dy persona janë të larguar në mënyrë përfundimtare nga PD. Njëri është Lul Brava, tjetri është Alibasha që mori vetëm sot shpërblim nga Edi Rama, 220 mijë euro”.
“PD është e hapur për të gjithë të tjerët për debat, për negociata, për çfarë të dëshirojnë. Por dy persona, pengje të Edi Ramës, u përdorën në mënyrën më të pamëshirshme për të goditur opozitën shqiptare. Për sa i përket atij rezultati, unë u bëj thirrje t’i lexoni rezultatet me realizëm. PD-së iu mohua logoja, PD-së iu mohua kryetari i koalicionit. E di si e bëri Edi Rama? Kur ringu ishte përgatitur për ndeshjen, me mekanizma alla Putin, shpalli veten fitimtar duke mos lejuar kundërshtarin të futet në ring. Por ajo nuk është fitore. Ajo është tmerr-fitore! Sepse pasojat sigurisht që ishin për PD-në, por më të rënda qenë për atë”, tha Berisha.
Duke folur për zgjedhjet e 14 majit, Berisha tha 180 mijë qytetarë nuk u lejuan të votojnë.
“T’u heqësh qytetarëve të drejtën për të votuar përbën një akt kriminal armiqësor ndaj këtyre qytetarëve, ndaj opozitës dhe ndaj lirisë së vendit. PD, e zotuar të mbrojë votën e qytetarëve, e konstatoi dhe e denoncoi te SKAP-i i partisë. SKAP-i i partisë e përcolli siç mori urdhër. Por ditën e votimit nuk votuan për shkak të listave 180 mijë qytetarë shqiptarë”, tha Berisha.
/r.e/























