TIRANË, 12 maj/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, duke vlerësuar fushatën e kandidatit të PS-së, për zgjedhjet e 14 majit për kryetar bashkie të Shkodrës, Benet Beci theksoi se, Beci është i pari që, si profesor politik, i mësoi të gjithëve se si lufta e klasave mund të marrë fund në Shkodër.
Në një reagim në rrjetet sociale, Koçi tha se, “e di që nuk jam i ngarkuar me ndonjë përgjegjësi direkte për fushatën në Shkodër, por nuk mund të rri pa të të shkruar publikisht nja dy rreshta që dëshmojnë sa i përshtypur jam nga kultura e re dhe unike e fushatës tënde në atë vend të bekuar me emrin Shkodër, ku flitet ndofta dialekti më i bukur i gjuhës shqipe”.
“Shkodra ka vuajtur 80 vjet nga lufta e klasave. 50 vjet prej tyre u sunduan nga lufta komuniste e klasave. Shkodra nuk i duron dot regjimet. Ka një popull që banon në brigje ujërash që rrjedhin. 30 vjet u sunduan nga lufta antikomuniste e klasave. Një vuajtje simetrike e paparashikuar, por që u aktivizua egërsisht me inspirim nga Tirana politike. Nga e njëjta politikë 50-vjeçare pararendëse”, nënvizoi Koçi.
Deputeti i PS-së, Koçi u shpreh se, “luftë klasash, e ndarë në dy faza: e para, nën sistemin monist, e dyta, nën sistemin pluralist. E para, e ligjëruar de jure, e dyta, e ushtruar de facto”.
/k.s/r.e/























