TIRANË, 11 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kreu i PS, Edi Rama tha se, në këtë fushatë elektorale opozita ka pasur kohë mediatike më të madhe se qeveria.
Gjatë një interviste televizive, Rama theksoi se, “nga statistikat zyrtare të AMA-s, në këtë fushatë elektorale opozita e faqes së zezë, ka pasur me shumë kohë televizive në media sesa qeveria”.
“Unë di që në vendet ku media është e kapur, media është nën kontroll të qeverisë. Ndërkohë që në vende normale nuk ekziston që opozita të ketë më shumë kohë televizive sesa qeveria, ndërsa këtu te ne opozita ka më shumë kohë se qeveria”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se, edhe nëse koha televizive është e balancuar, gjë që nuk më rezulton, prap tregon se këtu nuk ka asnjë kapje dhe kotroll në media.






















