Ballina Flash

Suli: Punët e bëra në 4 vite në Kamzë, sa në 30 vite bashkë

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Partia Socialiste mbylli pasditen e sotme fushatën për zgjedhjet lokale të 14 majit në Kamzë.

Kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli i cili rikandidon për një mandat të dytë në zgjedhjet e 14 majit nën siglën e PS-së, tha se “punët që kemi bërë në Kamzë në këto 4 vite, nuk janë bërë në 30 vite bashkë në këtë bashki”.

Duke u ndalur fillimisht tek pjesëmarrja e gjerë e njerëzve në takim, Suli tha se kjo pjesëmarrje nuk ka lidhje me bindjet politike, pasi janë të majtë dhe të djathtë bashkë.

“Në këto 4 vite ne investuam në 38 objekte arsimore. I dhamë fund problemit të përmbytjeve nga shiu në Valias të Ri, ndërsa investuam në parkun e liqenit të Paskuqanit, duke e kthyer atë në një oaz turistik”, u shpreh Suli.

Ai vuri në dukje politikat e mbështetjes social-ekonomike për familjet në nevojë, që siç tha Suli, “u adresuan në çdo drejtim, me qëllim lehtësimin e barrës ekonomike për këto familje”.

“Dyfishuam ndihmën për familjet në nevojë, ne u erdhëm në ndihmë me ushqimin falas për fëmijët, u hoqëm taksat”, tha ai.

Suli shtoi se punët e mandatit të parë janë të prekshme.

“Falë mbështetjes së Kryeministrit 426 familje janë në shtëpitë e tyre individuale. Në zonën e Valiasit të vjetër janë 270 familje të tjera që do të përfitojnë shtëpi falas. Nëse para 4 vitesh ishte 48 % e mbuluar me ujësjellës kanalizime, sot kemi shkuar në 85 %. Në 4 vite dhamë shembullin më të mirë që bashkia Kamzë u shërbeu të majtëve dhe të djathtëve. Pra, ne kthyem besimin te pushteti lokal”, tha ai.

“Ne shtruam 110 km rrugë në mandatin e parë. Në mandatin e dytë përfundon gjithë infrastruktura rrugore, por me standarde, me trotuare dhe ndriçim. Investimet kanë rritur vlerën e pronës në bashkinë tonë. Ndërsa do të vijojmë me projekte të reja në shërbim të qytetarëve”, deklaroi Suli.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Kamza, pasqyra domethënëse e një transformimi historik
Artikulli tjetërRama: Në 14 maj Kamza do të ndahet nga politika e përçarjes dhe urrejtjes