TIRANË, 11 maj/ATSH/ Kandidatja e PS-së për Bashkinë e Durrësit, Emiriana Sako, ka zhvilluar një takim me banorë të njësisë administrative Sukth, të cilët i falënderoi për mbështetjen e madhe.
Sako tha se në këtë zonë janë bërë investime të shumta në arsim, ujësjellës, infrastrukturë rrugore, por të tjera investime të mëdha do të kryhen gjatë mandatit të ardhshëm.
Kryebashkiakja në detyrë shtoi se në këtë njësi janë ndërtuar 5 shkolla e kopshte të reja, ndërkohë që Sukthi ka sot furnizim 24 orë me ujë.
“Gjatë mandatit të ardhshëm, në këtë njësi administrative do të punohet për rehabilitimin e terreneve sportive si dhe ndihmë konkrete për fermerët, me anë të mbështetjes me skema subvencioni dhe ngritjen e një pike agropërpunuese dhe depozitimi”, nënvizoi ajo.
Sako theksoi se brenda vitit të ardhshëm do të përfundojnë të gjitha shtëpitë dhe apartamentet që po ndërtohen me anë të programit të rindërtimit si dhe shkolla e re në Vadardhë.
/r.e/














