TIRANË, 10 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se koalicioni “Bashkë Fitojmë“ do të fitojë bindshëm zgjedhjet e 14 majit.
“Jam i bindur në fitoren e jashtëzakonshme të opozitës sepse kemi opozitën qytetare me vete dhe kemi edhe socialistë të ndershëm që ndjehen totalisht të përjashtuar nga ky sekt”, tha ai gjatë një interviste në medie.
“Në 14 maj jam i sigurt që do të jetë një fitore absolute e opozitës. Minimumi i fitores është trekëndëshi Tiranë, Durrës, Elbasan, është i padiskutueshëm. Nuk ka dështim për opozitën. Objektivi të kemi mbi 80% të këshillave bashkiake. Përsa i përket bashkive nuk ka limit këtu”, tha Meta.
Meta theksoi se objektivi kryesor i bashkive që do të fitohen nga ky koalicion është transparenca për çdo shpenzim të buxhetit.
“Dy janë kauzat e mia me gjigandin Sali Berisha. Transparencë absolute në bashkitë, këshillat bashkiakë në të gjithë Shqipërinë që të mos blihet më fidani 5 mijë euro. Sa është rruga, sa është shkolla, sa është çerdhja”, tha Meta.
Meta u përgjigj edhe për akuzat e ngritura për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë“ në Himarë për helenizim të Himarës.
Kreu i Partisë së Lirisë tha se nuk është e vërtetë deklarata e publikuar në media dhe se një gjë e tillë është përgënjeshtruar nga vetë Beleri.























