Ballina Flash

Abbott: Është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draftstatut për Asociacionin

PRISHTINË, 9 maj /ATSH/ Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, ka thënë se është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draftstatut për Asociacionin, duke u mbështetur në vizionin e kryeministrit Albin Kurti, të prezantuar javën e kaluar.

Sipas tij, i njëjti duhet të jetë edhe në përputhje me kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian.

“Pra, tani është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draftstatut për një Asociacion, duke u mbështetur në vizionin e vendosur nga kryeministri javën e kaluar, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE-ja”, ka shkruar Abbott në Twitter.

Abbott gjithashtu ka theksuar se aleatët duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, derisa ka përmendur që vizitorë të rëndësishëm do të qëndrojnë këtë javë në Prishtinë, përfshirë diplomaten Victoria Billing.

Takimi i fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, është zhvilluar më 2 maj në Bruksel.

Aty, palët janë pajtuar për deklaratën për personat e zhdukur, por jo edhe për Asociacionin.

Pas këtij takimi, kryeministri Kurti ka thënë se draftstatuti i ekipit menaxhues mbetët i papranueshëm për Kosovën, ndërsa e ka paraqitur vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë(27 shkurt 2023)./KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShkodër, ndëshkohen 100 drejtues mjetesh për parakalim të gabuar
Artikulli tjetërFOKUS – OKB: Kriza ushqimore do të destabilizojë Lindjen e Mesme