TIRANË, 1 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga qyteti i Cërrikut, se opozita i do bashkitë për t’i kthyer në kështjella të luftës politike me qeverinë.
“Nuk dua të flas për kundërshtarë, por të gjithë kanë një karakteristikë, vijnë nga e shkuara, s’kanë bërë asgjë, madje kanë bërë më shumë dëm sesa punë dhe mbi të gjitha vijnë jo për të bërë më shumë punë, por për të marrë peng bashkitë ku të munden dhe për t’i kthyer në kështjella të luftës politike me qeverinë, për t’i mbyllur rrugën bashkëpunimit, zhvillimit, punëve për ju dhe për të filluar avazin nga e para, dhe për t’i harxhuar lekët e taksave për të financuar autobusë që nisen në Tiranë për të thënë ‘Rama ik'”, theksoi Rama në takimin me banorë të Cërrikut.
Kryeministri Rama u shpreh se “kanë 10 vite që e thonë, unë s’kam ndërmend të iki se thonë ata ‘Rama ik’. Do të vijë edhe dita ime për t’u larguar, por ajo ditë do vijë kur ne të vendosim bashkërisht, po ata nuk e vendosin dot atë ditë”.
Më tej Rama tha se “ka një kandidat në qarkun tuaj që e kam shumë për zemër, më kujton edhe Lulin, që më ka marrë shumë malli, por ai është një nivel më i lartë, Luluçi Boçi i Elbasanit, kandidati i këtij bashkimi në dëshpërim, për interesa personale, që i ka të shkruara në ballë të gjitha hallet e plagët e Shqipërisë”.
“Bashkimi i nongratës se çfarë rëndësie ka aleanca me SHBA, partneriteti me të fuqishmin e kësaj bote, se çfarë rëndësie ka gjithë ajo punë që kemi bërë që Shqipëria sot është më e respektuar se kurrë ndonjëherë tjetër në sytë e botës, që këtë të mos e llogarisin, por në emër të gjyshit që ka qenë nuk e di se çfarë dhe familja që vjen nga e djathta të shkojë e t’ia japë votën një nongrate të bashkuar me Like floririn”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se ”ta çosh votën për të ardhmen e vendlindjes së qytetit, votën për pastrim gjelbërimin, ndriçimin, për shkollat, kopshte e çerdhet për ekonominë tek Luluçët dhe nongratat duke thënë se jam i djathtë duke votuar Like floririn këtë mua nuk ma shpjegon dot njeri”.
“Një kandidat, se kështu janë të gjithë këta, njëri premton transport falas, tjetri premton internet falas në çdo autobus. Tjetri thotë autobus falas, tjetri thotë drita falas, tjetri thotë nuk e di se çfarë tjetër falas dhe kampioni i tyre, Luluçi i filmit “Zonja nga qyteti”, ju kujtohet filmi “Zonja nga qyteti”, e mbani mend Koçin? Se ky është njësoj, i gjatë, i hollë sikur ka ngrënë okllainë, si Luli. Po ky është më lart, se Luli të paktën flinte shumë edhe nuk rrente, ky edhe kur fle, rre shumë. Doli përpara një populli të urtë, po shumë të mençur si populli i Elbasanit dhe tha: “Lidha një kontratë për 400 milionë euro”. E nxori kontratën “kryetari i ri i bashkisë”, domethënë pa u bërë, filloi me rrena dhe me një tjetër që do vinte nga Bari dhe që do sillte 400 milionë euro dhe që nuk ekzistonte dhe ndërkohë që ne jemi këtu për gjëra të prekshme, për gjëra që ekzistojnë dhe që i them atyre të djathtëve që, kur votoni për kryetarin e bashkisë, votoni që rruga të jetë e pastër, dhe nëse sot, edhe këtu në Cërrik, nuk sheh një copë letër në rrugë, kjo është rezultat i punës së përditshme që bën bashkia dhe i një kryetari bashkie që i rri punës mbi kokë. Kështu jemi ne! Dhe kështu janë ata që ne çojmë në krye të bashkive, jo se janë perfekt, por sepse i rrinë punës mbi kokë, për atë të duhet vota”, tha Rama.
“Vota duhet që kur të vijnë vajzat natën në shtëpi mos rrish me ankth që “do t’i hajë ujku” se s’ka drita rrugës. Kush do t’i ndërrojë poçat, këta? Këtyre i është fikur llampa e tyre, do vijnë të venë llampa për ju? Si mundet të votosh për ata kur duhet të çosh fëmijën në kopsht e duhet të çosh fëmijën në shkollë dhe këta nuk kanë një shembull në 31 vjet, që kur janë bërë zgjedhjet pluraliste, që të tregojnë se dinë të bëjnë ndonjë gjë, s’e kanë një! S’e tregojnë dot!
Ja ku e kanë Shkodrën atje, ka 31 vjet që e fitojnë Shkodrën. Shkodra është qyteti më i prapambetur i Shqipërisë dhe pse ka potencialet më të mëdha ekonomike që kanë qytetet e Shqipërisë. Në Shkodër vazhdojnë plehrat, mbulojnë kazanët me ditë të tëra, se këta nuk e kanë problem pisllëkun. Këta me pisllëkun bashkëjetojnë, këta me errësirën bashkëjetojnë, këta me muret që bien bashkëjetojnë, këta nuk e kanë problem injorancën, këta nuk e kanë problem prapambetjen. Këta kanë problem vetëm problemet e tyre dhe tani kanë probleme të mëdha me drejtësinë. E çfarë? I duan bashkitë për t’u fshehur nga drejtësia!”, tha Rama.
/k.s/r.e/























