Ballina Aktualitet

Kaso: Prokuroria të çojë para drejtësisë abuzuesit me fonde në bashkinë Fushë-Arrëz

TIRANË, 27 prill/ATSH – I. Vata/ Sekretari për Çështjet Ligjore i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Ivi Kaso, ka reaguar pas kallëzimit në prokurori nga ana e KLSH-së, të bashkisë Fushë-Arrëz.

Në një deklaratë për mediet, Kasa i kërkon prokurorisë që të çojë para drejtësisë abuzuesit me fonde publike në bashkinë Fushë-Arrëz.

“Bashkitë e Edi Ramës, të cilat ai i mori të gjitha pa garë para katër vitesh ose janë të falimentuara ose të korruptuara. Nga jugu në veri dhe nga lindja në perëndim, pushteti lokal i Rilindjes, edhe kur ushtrohet vetëm, pa pengesa dhe pa kontroll institucional të opozitës, dëshmon se nuk i shpëton dot oreksit të vjedhjes, madje i shtohet edhe më shumë babëzia.Në një auditim të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në bashkinë Fushë-Arrëz në vitin 2019, me objekt aktivitetin përgjatë vitit 2017, dhe përputhshmërinë e prokurimeve me të ardhurat për periudhën 2017-2018, ka gjetur disa shkelje.Dy më kryesoret janë një tender për rikontruksionin e shkollës së Iballës dhe rikontruksionin e shkollës së mesme në qytetin e Fushë-Arrëzit. KLSH pas konstatimeve për shkelje ka kërkuar kallëzim penal për dy kompanitë që, në bashkëpunim me zyrtarët të bashkisë së Fushë-Arrëzit kanë shkelur ligjin”, tha ai.

Po ashtu, Kaso shton se, shkeljet e evidentara nga KLSH janë konsumim i veprave penale të falsifikimit të dokumenteve, dhe e gjitha është bërë me qëllim paraqitjen e të dhënave të rreme për të fituar tenderët.

“Shkelja e bashkisë, sipas KLSH, është se nuk ka bërë verifikimet e duhura. Më saktë nuk ka dashur të bëjë verifikimet e rastit, sepse për tenderët, të cilat i ka fituar bashkimi i dy kompanive, ka pasur dakordësi që më parë. Pra, kemi të bëjmë, jo me shkelje nga pakujdesia, por me shkelje me dashje, me qëllime favorizimi dhe korrupsioni. Kontrolli i Lartë i Shtetit për këto shkelje ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Shkodrës. Dosja është rrotulluar në sirtarët e kësaj prokurorie për tre vjet dhe vetëm para katër muajsh kjo Prokurori ka vendosur t’ia kthejë mbrapsht dosjen Prokurorisë së Pukës. Skema është e qartë: kompanitë fituese me dokumentacion të rremë, për të mbrojtur veten dhe bashkinë Fushë-Arrëz kanë ndërhyrë në prokurorinë e Shkodrës që ta “mbyllin” çështjen, duke ia kaluar Pukës, një territori që ata e njohin dhe mund ta kontrollojnë më lehtë. Gjasat janë që ky të jetë një tjetër krim pa ndëshkim i bashkive të Edi Ramës, një tjetër rast kur taksat e pukjanëve të shkojnë në xhepat e oligarkëve të zonës. I bëjmë thirrje Prokurorisë së Pukës që të ndjekë germën e ligjit jo ngjyrën e parave”, thekson Kaso.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMilanoviç-Begaj: Kosova është realitet, shumë shpejt do të njihet nga të gjithë vendet e BE
Artikulli tjetërInstituti i Vjenës: Ekonomia shqiptare shfaqi një elasticitet të jashtëzakonshëm në 2022-shin, rritja 4.8%