Ballina Flash

​Vuçiç në takim me ambasadorin Hill ankohet për situatën në veri të Kosovës

PRISHTINË, 12 prill /ATSH/  Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka pritur në takim ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill, të cilit i është ankuar për situatën në veri të Kosovës.

Sipas tij, qytetarët serb në Kosovë po përballen me sfida të vështira.

“E njoftova ambasadorin Hill me situatën dhe sfidat gjithnjë e më të vështira me të cilat përballet populli ynë në Kosovë dhe përsërita shqetësimin tim për sulmet e shpeshta, arrestimet dhe presionet e tjera ndaj të cilave janë të ekspozuar serbët”, ka shkruar Vuçiç në profilin e tij në Instagram.

Sipas Vuçiç, Serbia po përpiqet të sigurojë një jetë më të lehtë për të gjithë qytetarët, me respektimin dhe zbatimin e të drejtës ndërkombëtare dhe asaj që është dakorduar në dialogun e Brukselit.

Lidhur me këtë ai ka thënë se ka kërkuar nga ambasadori Hill mbështetjen dhe angazhimin e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës./KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNuk dihet për datën e takimit Kurti-Vuçiç
Artikulli tjetërSako: 750 biznese të reja në Durrës