TIRANË, 12 prill /ATSH – I. Vata/ Policia e Shtetit gjatë 24 orëve të fundit kanë vijuar kontrollet intensive në të gjithë vendin, për goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e shtetasve në kërkim.
Si rezultat i 4 operacioneve të finalizuara janë sekuestruar: 182 fidanë kanabisi, rreth 300 fara kanabisi, sasi kokaine dhe kanabisi, 1 armë gjahu dhe 4 kompjutera.
Operacioni policor i koduar “Komuna 2” çoi në pranga një shtetase që shpërndante doza kokaine, në Tiranë. Policia i gjeti kësaj shtetaseje, një sasi lënde narkotike kokainë, një pjesë e së cilës ishte ndarë në 40 doza, gati për shitje.
Policia e Kavajës ka evidentuar një banesë të marrë me qira, që ishte përshtatur si call center. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Përshtatja”, u vu në pranga 1 shtetas dhe në hetim 2 të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në ambientet e kësaj banese u gjetën 4 kompjutera dhe një sasi kanabisi.
Policia e Fierit ka gjetur në një banesë në Kreshpan, 182 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa që ishin mbjellë në kubikë, si dhe një armë gjahu. Në kuadër të operacionit të koduar “Kreshpan”, pronarja e kësaj banesë u vu në pranga, bashkëshorti i saj u shpall në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij.
Në Shkodër u evidentua dhe u godit një rast i shitjes së farave të kanabisit, me qëllim kultivimin e tyre. Gjatë operacionit të koduar “Masat parandaluese” u sekuestrua një qese plastmasi, me rreth 300 fara kanabisi, si dhe u vu në pranga 49-vjeçari që tentoi t’i shiste.
Një 21-vjeçar i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor “Perimetri”, u kap dhe u vu në pranga nga shërbimet e Policisë Kufitare Kapshticë, në bashkëpunim me ata të DVP Korçë. I ndaluari ishte pjesëtar i një grupi që ushtronte veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Ndërhyrja në kohë e Policisë parandaloi përshkallëzimin e një konfliktit, në Dibër. U vu në pranga një 24-vjeçar, pasi u konfliktua për motive të dobëta, me familjarët e tij. U vu në hetim babai i 24-vjeçarit, pasi në tentativë për të shmangur arrestimin e djalit të tij nga Policia, dëmtoi me sende të forta automjetin e Policisë.
Gjithashtu, falë reagimit në kohë të Policisë, u kap dhe u vu në pranga një 19-vjeçar që dëmtoi me mjet prerës (thikë), një 18-vjeçar, në Pogradec.
/gj.m/














