Ballina Aktualitet

I vihet tritol makinës së kreut të ‘Rithemelimit’ në Vaun e Dejës, Policia: Nga shpërthimi vetëm dëme materiale

TIRANË, 11 prill/ATSH/ Policia e Shtetit bëri të ditur detaje nga ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm në Vaun e Dejës ku iu vendos tritol makinës së kreut të Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Benard Ndreca.

Në njoftimin zyrtar, policia sqaron se rreth orës 07:10, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, në pjesën e përparme të automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetasit B. N., dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse.

Me marrjen e njoftimit, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.

Policia deklaron se nga veprimet e para, rezulton se shpërthimi ka ndodhur në momentin që shtetasi B. N. ka hipur në automjet.

“Nga shpërthimi, shtetasi B. N. nuk ka pësuar dëmtime, por janë shkaktuar vetëm dëme të pjesshme  materiale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak24 vjet nga rënia e Agim Ramadanit
Artikulli tjetërKIEV – Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë mbi 200 të burgosur