TIRANË, 7 prill/ATSH/ Në Ditën Botërore të Shëndetit ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi Qendrën Shëndetësore nr. 8 në Tiranë, ku foli për rimbursimin e fishave të diabetit për pensionistët, një prej vendimeve të fundit të qeverisë drejt mbulimit shëndetësor universal.
Ministrja Manastirliu tha se “deri tani 35 mijë të moshuar kanë përfituar fishat e diabetit falas, duke i kursyer pensionistëve një pension mujor në vit një tjetër hap përpara drejt mbulimit shëndetësor universal”.
Sipas saj, kjo është një kërkesë e kahershme e të moshuarve dhe që ne e zgjidhëm.
Gjatë takimit me stafin mjekësor, ministrja Manastirliu foli edhe për planin e qeverisë për rritjen e pagave të mjekëve dhe infermierëve.
“Pas rritjes +50,000 lekë për mjekët specialistë dhe +7 % për mjekët e familjes e infermierët në të gjithë sistemin shëndetësor, do të kemi një rritje të targetuar vitin e ardhshëm për mjekët e familjes dhe infermierët, pjesë e planit tonë të rritjes së pagave për profesionistët në sistemin shëndetësor”, theksoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “rritja e pagave nuk mbaron në 2024. Fokusi ynë është te vijimi i mbështetjes për rritjen e financimit për pagat gjithashtu do të ketë një plan edhe për mbështetjen e tyre”.
Të moshuarit u shprehën se “është një ndihmë konkrete dhënia e fishave të diabetit falas”.
Rimbursimi i fishave të diabetit nisi për grupmoshën 0-18 vjeç në 2018. Më pas u zgjerua edhe për të rinjtë deri 25 vjeç. Nga 27 shkurti 2023 fishat për matjen e glicemisë përfitohen në të gjitha farmacitë e rrjetit të hapur me kontratë me FSDKSH, ku përveç kategorisë 0-25 vjeç, tashmë përfitojnë dhe të moshuarit +65 vjeç.
/k.s/r.e/























