TIRANË, 4 prill/ATSH/ Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas, e shikon nismën e qeverisë për amnistinë fiskale në kuadrin e përpjekjeve për të krijuar amortizatorë fiskalë, në kushtet kur vendi u përball me sfida të njëpasnjëshme, si tërmeti i 26 nëntorit, pandemia apo edhe kriza e shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Ai vlerësoi se përpjekjet e Shqipërisë për të krijuar qëndrueshmëri fiskale dhe financiare në të shkuarën bënë që Shqipëria të dalë nga këto goditje në një mënyrë shumë më pak të dhimbshme se sa shumë vende të tjera në rajon.
“Ne po punojmë me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Na duhet të shohim tablonë më të gjerë për këtë. Tabloja më e gjerë ka të bëjë me qëndrueshmërinë fiskale të vendit. Kur shikojmë trajektoren e Shqipërisë, shohim se janë bërë përpjekje për të krijuar amortizues fiskal dhe trajtuar ato çështje me të cilat vendi përballet shumë shpesh. Bashkëpunimi me MFE kërkon të shohë këtë tablo më të gjerë. Pra çfarë duhet të bëjmë, në mënyrë të përbashkët, për të rritur këta amortizues që i duhen vendit për të qenë në gjendje t’u përgjigjet jo vetëm kërkesave në vazhdimësi, por edhe situatave të papritura”, deklaroi ai në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama.
Salina tha se bashkëpunimi është përqendruar edhe te pjesa e menaxhimit të borxhit.
“Ne e dimë që një pjesë e të qenurit në gjendje për të pasur elasticitet fiskal është marrja parasysh e të ardhurave dhe shpenzimeve, por edhe për t’i pasur nën kontroll. Ajo çfarë kemi parë gjatë këtyre viteve të fundit është se këto përpjekje kanë dhënë rezultat, sepse kur sheh numrin e goditjeve që Shqipëria ka marrë vitet e fundit, e kuptoni se Shqipëria ia ka dalë në një mënyrë shumë më pak të dhimbshme se sa shumë vende të tjera në rajon. Kështu që ky kujdes fiskal ka dhënë rezultat, menaxhimi i borxhit ka dhënë rezultat, sidomos tani në kontekstin e normave shumë të larta të interesit”, deklaron ai.
Ai theksoi se dialogu me Shqipërinë është produktiv dhe i hapur dhe se Shqipëria ka bërë një punë të mirë për qëndrueshmërinë financiare dhe fiskale.
“I gjithë vendi përfiton nga këto vendime të së shkuarës për të trajtuar vështirësitë“, tha ai.
/r.e/























