Ballina Bota

KOMENT – Finlanda i bashkohet NATO-s, një pikë kthese historike

BRUKSEL, 4 prill /ATSH-AFP/ – Pas tri dekadash mosangazhimi ushtarak, Finlanda iu bashkua sot NATO-s, një pikë kthese strategjike e shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Në një ceremoni të ngarkuar me simbole, vendi nordik, i cili ndan një kufi 1 300 kilometra të gjatë me Rusinë, do të bëhet anëtari i 31-të i Aleancës, në përvjetorin e krijimit të saj, 4 prill 1949.

Pas dorëzimit të dokumenteve të anëtarësimit sekretarit të Shtetit të SHBA, Antony Blinken, kujdestar i traktatit themelues të organizatës, flamuri finlandez do të ngrihet në oborrin kryesor të selisë së organizatës në Bruksel në orën 15:30 (13:30 GMT), midis atyre të Estonisë dhe Francës, sipas rendit alfabetik.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia tronditi sigurinë në Evropë dhe riorganizoi kartat, duke i shtyrë Finlandën dhe Suedinë të duan t’i bashkohen ombrellës mbrojtëse të NATO-s.

“Presidenti Putin shkoi në luftë kundër Ukrainës me objektivin e deklaruar për të pasur më pak NATO (…) Ai merr pikërisht të kundërtën”, tha dje sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

Finlanda merr mbrojtjen e Nenit 5, Betimi i Mbrojtjes Kolektive se një sulm ndaj një anëtari “do të konsiderohet si sulm ndaj të gjithë anëtarëve”.

“Finlanda pretendon se është në gjendje të mbrojë kufirin e saj dhe nuk i kërkon NATO-s përforcime. Por ne nuk e dimë se cili do të jetë reagimi i Rusisë. Nëse dyfishon forcat e saj në kufi, ne do të duhet të rishikojmë sistemin”, tha një përfaqësues i një vendi të Aleancës.

Kundërshtimet nga Turqia dhe Hungaria vonuan anëtarësimin e Helsinkit për muaj të tërë dhe ende bllokojnë anëtarësimin e Stokholmit.

“Jam absolutisht i bindur se edhe Suedia do të bëhet anëtare. Për NATO-n, për mua, është prioritet që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”, siguroi Jens Stoltenberg.

Ukraina të bëhet anëtare

Pranimet e dy vendeve nordike janë demonstrimi se “dera e NATO-s mbetet e hapur”, tha Jens Stoltenberg.

“Pozicioni i NATO-s mbetet i pandryshuar: Ukraina do të bëhet anëtare e Aleancës”, vazhdoi ai.

Megjithatë, shtoi ai “objektivi kryesor për momentin është mbijetesa e tij si një vend sovran dhe i pavarur, përndryshe të flasësh për anëtarësim nuk ka kuptim”.

Ministrat e jashtëm të NATO-s do të takojnë homologun e tyre ukrainas Dmytro Kouleba dhe do të diskutojnë “mbështetje afatgjatë” në Kiev.

Për këtë qëllim u organizua një mbledhje e Komisionit NATO-Ukrainë, pavarësisht kundërshtimeve të Hungarisë.

“Ne nuk e dimë se kur do të përfundojë kjo luftë. Por, kur të përfundojë, ne do të duhet të vendosim marrëveshje në mënyrë që Ukraina të mund të pengojë agresionin e ardhshëm,” tha shefi i NATO-s.

Dje dronët rusë goditën portin ukrainas të Odessa, në Detin e Zi, duke shkaktuar dëme materiale, sipas autoriteteve.

Ministrat do të takohen gjithashtu me homologun e tyre japonez për të diskutuar situatën në rajonin e Azi-Paqësorit dhe sfidat e paraqitura nga Kina dhe “përafrimin e saj me Rusinë”.

“Për të përballuar të gjitha këto sfida, është thelbësore që ne të investojmë më shumë në mbrojtje”, këmbënguli Jens Stoltenberg.

“Unë pres që aleatët të angazhohen në samitin e Vilnius për një premtim të ri ambicioz investimi, me 2% të PBB-së së tyre si dysheme dhe jo më si tavan”, theksoi ai./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSalinas: Emigracioni i të rinjve, ndikim jo vetëm pagat, por edhe aspiratat për perspektivë
Artikulli tjetërRama: Rritja e pagave jo me borxh, nga të ardhurat e turizmit dhe eksporteve