Ballina Ekonomi

Dyfishohen eksportet drejt Greqisë

TIRANË, 31 mars/ATSH/ Eksportet shqiptare drejt Greqisë gjatë dymujorit të parë të këtij viti shënuan rritje me gati 2 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, INSTAT, eksportet gjatë periudhës janar-shkurt, në vlerë llogariten 6.9 miliardë lekë, ndërsa në të njëjtën periudhë të 2022-shit ishin 3.6 miliardë lekë.

Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Greqinë gjatë kësaj periudhe zunë 7.1 % të totalit të të gjithë tregtisë. Në vlerë ato arritën mbi 14.8 miliardë lekë.

Ndryshe nga eksportet importet e mallrave nga Greqia në Shqipëri, gjatë 2-mujorit shënuan rënie. Ato llogariten për periudhën 7.9 miliardë lekë, kur të të njëjtën periudhë, një vit më parë (2022) u importuan mallra në vlerë 9.2 miliardë lekë.

Në vlerën e mallrave të importuara nga shteti fqinj, vendin kryesor e zënë grupi i mallrave “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” në vlerën 3.8 miliardë lekë dhe grupi “tekstile dhe këpucë”. Importi i kësaj kategorie arriti për këtë periudhë vlerën e mbi 1 miliard lekëve.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManastirliu: Realizohet ndërhyrja delikate kirurgjikale në spitalin e Shkodrës
Artikulli tjetër​Mobilizimi i përgjithshëm 24 vjet më parë në Kosovë