Ballina Aktualitet

Miratohen kriteret teknike për aksesueshmërinë e QV nga zgjedhës me aftësi të kufizuara

TIRANË, 20 mars /ATSH/ Komisioni Rregullator në KQZ miratoi sot disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 1, datë 5.12.2020, “Përcaktimi i rregullave për ngritjen, caktimin dhe njoftimin e vendndodhjes së Qendrave të Votimit, dhe përgatitjen e hartës së njësisë së vetëqeverisjes vendore për zgjedhjet”.

Udhëzimi parashikon vendosjen e disa kritereve teknike për aksesueshmërinë e qendrave të votimit nga zgjedhës me aftësi të kufizuara.

Udhëzimi sanksionon detyrimin për kryetarin e njësisë së vetëqeverisjes vendore për të caktuar në katin e parë të ndërtesave, qendrat e votimit ku janë të regjistruar zgjedhës me aftësi të kufizuar.

Gjithashtu, parashikon mekanizmin e kontrollit për zbatimin e standardeve minimale të kërkuara, duke përcaktuar detyrimin e kryetarëve të NJQV për t’i dhënë informacion KQZ sa herë që i kërkohet.

Këto ndryshime, adresojnë gjithashtu rekomandimet e OSBE/ODIHR, rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë dhe rekomandimet e Avokatit të Popullit.

Komisioni Rregullator vendosi shtyrjen e vendimmarrjes për në mbledhjen e radhës për projektvendimin “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 11, datë 25.3.2021, të Komisionit Rregullator, “Për mënyrën e ngritjes, organizimit dhe funksionimit të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe zhvillimit të zgjedhjeve në Qendrën e Votimit””, të ndryshuar.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakITALI – “ISTAT”: Bie numri i lindjeve
Artikulli tjetërDrejtori i PK-së viziton stacionet policore në veri