Ballina Ekonomi

Pas 10 vitesh në Itali, emigranti rikthehet dhe investon në vendlindje

TIRANË, 16 mars /ATSH/ Elton Meço nga Libofsha, është një tjetër i ri, i kthyer në vendlindje, pas disa vitesh në emigracion, i cili ka ngritur një biznes familjar.

Sot ai ka rreth 2 hektarë serra me rrush tavoline dhe rreth 20 ha tokë të marrë me qira, të cilën e ka mbjellë me të gjitha llojet e drithërave.

Ai shprehet se, “kam qenë emigrant prej 10 vitesh në Itali dhe kam punuar në serra në Sicili. Menduam që me të ardhurat e mbledhura gjatë këtyre viteve të bënim të njëjtën gjë dhe në vendin tonë. E nisëm me një sipërfaqe të vogël prej 4 dynymë, na eci, e pamë që dhe këtu varieteti përshtatej me klimën dhe shtuam sipërfaqen. Tani kemi 2 hektarë dhe tregu është i kënaqshëm, pasi ky është rrush eksporti”.

Prodhimi vendas i rrushit po dominon gjithnjë e më tepër furnizimin e tregut si me rrush tavoline, ashtu edhe me atë për përpunim.

Zonat kryesore të prodhimit të rrushit gjenden mes kodrave dhe bregdetit të Shqipërisë Qendrore. Fieri, Berati, Elbasani dhe Vlora, janë qarqet me përqindjen më të madhe të prodhimit; këto katër qarqe japin më shumë se gjysmën e prodhimit vendas të rrushit.

Ndërkohë importet kanë rënë në mënyrë domethënëse nga viti në vit.

/gj.m/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Tulipa Albanica”, bimë 100% endemike shqiptare
Artikulli tjetërKoncerti “Mbrëmje Pranverore” i dy shkollave artistike shqiptare