Ballina Aktualitet

Borrell për dialogun Prishtinë-Beograd: Po punojmë për zbatimin e marrëveshjes

TIRANË, 16 mars /ATSH/ Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë/Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell tha sot se, “për sa i përket dialogut Prishtinë-Beograd, aktualisht po punojmë jo vetëm me marrëveshjen në vetvete për të cilën është rënë dakord tashmë, por për zbatimin e saj”.

I pyetur nga mediet mbi këtë dialog në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama dhe Komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi, në kuadër të mbledhjes së dymbëdhjetë midis BE-së dhe Shqipërisë për Këshillin e Stabilizimit dhe Asociimit, Borrell tha se, “kjo marrëveshje sjell shpresë për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit”.

“Mbi dialogun Prishtinë-Beograd në datën 27 shkurt patëm një mbledhje në Bruksel, unë me Vuçiç dhe Kurtin. Ranë dakord që nuk nevojiteshin diskutime të mëtejshme për propozimin e BE. Gjuha dhe teksti i kësaj marrëveshje është i mbyllur. Kjo marrëveshje sjell shpresë për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Një gjë është marrëveshja dhe tjetër gjë është kur dhe si zbatohet”, tha Borrell.

Ai theksoi se, “aktualisht po punojmë, jo vetëm me marrëveshjen në vetvete, për të cilën është rënë dakord tashmë, por për zbatimin e saj. Ky zbatim është një shtojcë që është pjesë përbërëse e vetë marrëveshjes që do të detyroj palët të sigurojnë dhe të kenë të njëjtin kuptim, për sa i përket afateve dhe modaliteteve, për të cilat palët duhet të bien dakord dhe për këtë. Është një marrëveshje që e bën marrëveshjen me Kosovën dhe Serbinë më afër dhe i vendos ata në një bazë më të qëndrueshme dhe siguron që do të vijojë dialogu me trajektoren drejt normalizimit, të shkoj përtej normalizimit të krizave. Sepse qëkur kam ardhur në detyrë ka pasur një menaxhim krizash të vazhdueshme mes këtyre dy vendeve, tani këto duhet të mbyllen dhe të zbatojmë këtë marrëveshje”.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Koha që BE të bëjë një hap para me mbështetjen financiare për Ballkanin Perëndimor
Artikulli tjetër“Pasaportat e arta”, Rama: Kemi pezulluar procesin deri sa të vendosë Gjykata Evropiane