TIRANË, 15 mars/ATSH/ Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat rrëzoi sot projektligjin “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, nismë e deputetit Petrit Vasili.
Vasili tha se, nismat kanë ardhur nga fakti se, mënyra si ka evoluar sektori i energjive të rinovueshme në Shqipëri ka qenë larg objektivave të caktuar nga qeveria dhe larg objektivave që kanë qenë në themel të ligjit përkatës që në vitin 2017.
Drejtori i Politikave të Zhvillimit të Industrisë dhe Energjisë, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi tha se, propozimi i deputetit Vasili është i tejkaluar, pasi tashmë është në Kuvend projektligji “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”.
Ai po ashtu theksoi se, sot në Shqipëri sa i përket vetprodhimit janë kapacitete të instaluara në prodhim 100 megavat, nga të cilat 80 % biznese dhe 20 % familjarë.
“Së pari kapaciteti ynë i lejuar i instaluar është më i larti në rajon. Në bazë të ligjit aktual lejojmë deri në 500 kW për t’u instaluar, ndërsa Maqedonia e Veriut e ka deri në 40 kW. Po ashtu, duhet theksuar se sot në Shqipëri, sa i përket vetprodhimit, janë kapacitete të instaluara në prodhim 100 megavat, nga të cilat 80 % biznese dhe 20 % familjarë. Ka një vlerë të lartë instalimi të paneleve fotovoltaike për vetprodhim pikërisht për vet lehtësive që ofrohen nga kuadri ligjor”, tha ai.
Po ashtu, Karakaçi bëri të ditur se, deri në 2030 Shqipëria parashikon që konsumi final nga burimet e rinovueshme të jetë 54 %, target ky më i larti në rajon.
“Sa i përket planit të klimës dhe energjisë, në vitin 2020 kemi pasur targetin 38 % të konsumit final nga burimet e rinovueshme. Këtë e kemi kaluar pasi konsumi final bruto nga burimet e rinovueshme ka qenë 45 %. Në 2030 targeti është më i lartë në rajon, 54 %”, tha ai.
/gj.m/r.e/























