Ballina Flash

Haradinaj: Kushdo që e kundërshton propozimin evropian i bën dëm vendit

PRISHTINË, 9 mars /ATSH/ Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj e ka përsëritur edhe një herë qëndrimin se partia e tij e mbështet propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Këtë qëndrim Haradinaj e theksoi në mbledhjen e sotme të kryesisë së AAK-së, ku ndër të tjera the se kjo marrëveshje është një e arritur e madhe, duke pasur parasysh rrethanat në të cilën ndodhemi si shtet.

“Qëndrimi i AAK në mbështetje të propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është qëndrim pro interesave nacionale e shtetërore. Ky është qëndrimi që ka dalë sot nga mbledhja e kryesisë së AAK-së.

Në takim theksova se kjo marrëveshje e propozuar është një e arritur e madhe, duke pasur parasysh rrethanat në të cilën ndodhemi si shtet. Rikonfirmuam mbështetjen tonë ndaj arritjes së kësaj marrëveshjeje, të bindur se kjo i mundëson Kosovës hapjen e perspektives integruese euro-atlantike dhe arritjen e njohjeve të reja. Ky qëndrim është tërësisht në interes të vendit dhe pa ndonjë kalkulim elektoral”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Krejt në fund Haradinaj tha se e vlerëson ndihmën e aleatëve tanë, në veçanti të ShBA-së dhe kushdo që që e kundërshton dhe tenton ta pengojë i bën dëm të madh vendit.

“AAK vlerëson ndihmën e aleatëve tanë, në veçanti të ShBA-së ndaj arritjes së kësaj marrëveshje. Kushdo që e kundërshton dhe tenton ta pengojë i bën dëm të madh vendit”, përfundoi ai./KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLITUANI – Shërbimet sekrete: Rusia e gatshme të vazhdojë luftën në Ukrainë edhe për dy vite të tjera
Artikulli tjetërPanairi i Artit dhe Zejeve në Elbasan, Kushi: Promovim i traditës dhe kulturës