TIRANË, 7 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha se e mbështet fuqimisht planin e paqes dhe të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur nga mediet në Berlin, gjatë konferencës së përbashkët me kancelarin gjerman Olaf Scholz mbi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, Rama theksoi se plani i paqes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve është shumë realist.
“Patjetër që kemi diskutuar edhe për rajonin. Shqipëria, qeveria jonë, unë personalisht e mbështesim fuqimisht planin e paqes dhe të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Në këndvështrimin tonë, është një plan absolutisht shumë përmbajtësor dhe njëkohësisht shumë realist, i cili sjell normalizimin e nevojshëm dhe të shumëpritur dhe të cilin të dyja palët duhet ta trajtojnë jo vetëm me seriozitetin maksimal, por edhe me të gjithë kurajon e domosdoshme”, u shpreh Rama.
/r.e/























