Ballina Aktualitet

Nikolla: Avancim i bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, zhvilloi sot një takim pune me anëtarët e Dhomës së Komuneve të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, David Jones dhe Bob Blackman.

Gjatë takimit u diskutua mbi intensifikimin dhe avancimin e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Komuneve të Mbretërisë së Bashkuar, si edhe mbi çështje të tjera të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Kryetarja Nikolla vlerësoi mbështetjen e Qeverisë dhe Dhomës së Komuneve të Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e Procesit të Berlinit.

Po ashtu dhe bashkëpunimin e qeverive për mbështetjen e emigrimit legal të qytetarëve shqiptarë në Britaninë e Madhe për studime, punë e biznes, dekurajimin e flukseve të parregullta dhe shmangien e rënies së qytetarëve shqiptarë në rrjetet e trafikantëve dhe krimit të organizuar si edhe qëndrimet e vendosura të Mbretërisë së Bashkuar për integritetin e politikanëve, funksionarëve publikë dhe biznesmenëve.

Deputetët, David Jones dhe Bob Blackman, shprehën vlerësimet e Dhomës së Komuneve për vijimin e bashkëpunimit me Kuvendin, progresin e gjithanshëm të Shqipërisë, avancimin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përballimin e sulmeve të terrorizmit kibernetik, mbrojtjen e paqes e të sigurisë, mbështetjen e refugjatëve iranianë e ukrainas si edhe mbështetjen e luftës së drejtë të Ukrainës kundër agresionit të Rusisë.

Ata nënvizuan se lufta kundër trafikimit të emigrantëve është rruga për të mbështetur emigrimin e ligjshëm të qytetarëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPërkujtohet 10-vjetori i rënies në detyrë të ish-efektivit të Policisë, Dritan Lamaj
Artikulli tjetërRihapen aplikimet për 300 vende për “Patrullë të Përgjithshme”