TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës vijon kontrollet e shtuara në të gjitha akset rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit.
Policia informon se, gjatë javës që lamë pas 21 shtetas janë arrestuar dhe proceduar për drejtim automjeti, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.
Gjithashtu 78 lejedrejtimi janë pezulluar, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
“Janë ndëshkuar me masë administrative 406 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjeteve. 324 drejtues mjetesh për mosdhënie përparësie këmbësorëve, në vija të bardha dhe 324 drejtues mjetesh për mosvendosje të rripit të sigurimit”, bën të ditur Policia.
Në njoftim thuhet se, janë vendosur 259 masa administrative, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse dhe mospërdorim të jelekëve fosforeshent, nga drejtuesit e motomjeteve.
Gjithashtu, vëmendje e veçantë gjatë kësaj jave është kushtuar për mosrespektimin e tabelës “Stop” dhe për këtë shkelje janë vendosur 46 masa administrative.






















