Ballina Ekonomi

Balluku: Porti i ri tregtar në Porto Romano, i shërben të gjithë rajonit

TIRANË, 1 shkurt /ATSH/ Kompani vendase dhe të huaja në fushën e zhvillimit të infrastrukturës portuale morën pjesë sot në Tiranë në një takim konsultativ informues ku u  prezantua projekti inxhinierik i portit të ri tregtar në Porto-Romano, Durrës.

Zëvendëskryeministrja njëherësh dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke marrë fjalën në takim tha se, “tashmë janë mbyllur të gjitha fazat e studimit të këtij projekti, analizat ekonomike dhe ndikimet sociale, mjedisore dhe arkeologjike sipas standardeve më të mira”.

“Strategjia portuale e qeverisë shqiptare ka në fokus tre pika kryesore: modernizimin e infrastrukturës në kompleksit portual në Porto Romano Durrës, që është një zonë industriale, e cila do të lidhet dhe me një hekurudhë prej 4 km dhe sipërfaqja në dispozicion arrin në 60 ha për një zhvillim ekonomik të pakufizuar. Së dyti synohet zhvillimi i logjistikës dhe transportit detar si një shtyllë kryesore e Ekonomisë Blu dhe së treti, pozicionimi i Shqipërisë si një vend strategjik në ndërlidhjen ekonomike dhe zinxhirët e furnizimit të EJL”, tha Balluku.

Sipas saj, Porti i Porto Romanos, nuk do t’i shërbejë vetëm Shqipërisë. Pasi tashmë, siç tha Balluku, janë realizuar dy marrëveshje me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, për ngritjen e dy porteve të thata respektivisht në Strugë dhe Prishtinë. Ndërsa po punojmë edhe me vendet e tjera, që ky port t’i shërbejë edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Balluku vuri në dukje se, vështirësitë e viteve të fundit lidhur me krizën nga lufta në Ukrainë dhe pandemia COVID19, na dhanë mësime që mund të afektohej zinxhiri i furnizimit.

Portet tha ajo, janë infrastruktura kritike në këtë pikë, ndaj dhe fokusi i investimeve tona është drejtuar me prioritet në këtë sektor, për t’ju përgjigjur zinxhirit të furnizmit të vendeve për disa dekada në vazhdim .

Ndërkohë, vijoi ajo investime të rëndësishme, po bëjmë në dy aeroportet ndërkombëtare  të Tiranës dhe Kukësit dhe jemi gati për dorëzimin e aeroportit të tretë, atij rajonal, aeroportit ndërkombëtar të Vlorës dhe kemi nisur bashkëpunimin me BE-në për ringritjen e rrjetit të ri hekurudhor që i shërben këtij investimi të projektit të ri në Porto Romano.

Teksa vlerësoi rolin dhe ndikimin e madhe të këtij investimi në ekonomi dhe gjeopolitikë, Balluku tha se, kompleksi i ri portual Durrës -Porto Romano dhe Porti i Jahteve (që është porti ekzistues që trasformohet në në një port modern të Marinës së Jahteve) do të japë një zhvillim multidimencioal.

“Ne parashikojmë një investim prej 390 milionë euro në këtë port, ku do të përfshihet një hapësirë nga 80 ha sot, në 450 ha në dispozicion të portit të ri”, tha Balluku.

Ajo theksoi se, në Porto Romano në Durrës, krahas portit të ri, do të ketë edhe një port ushtarak, i cili do të vihet në dispozicion të NATO-s, duke marrë edhe vlerë gjepolitike.

Projekti për portin e ri tregtar të Durrësit në Porto Romano është bërë nga studioja holandeze “Royal Haskoning DHV”, një ndër pesë kompanitë më prestigjioze të botës në fushën e projektimit të porteve, aeroporteve, infrastrukturës tokësore e nëntokësore, energjetike, minerare, industriale, si edhe zhvillimeve urbane e rurale.

/gj.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPeleshi: Policia Ushtarake, një nga repartet elitë të FA
Artikulli tjetërCOVID-19, MSHMS: 10 të infektuar në 24 orët e fundit