Ballina Flash

Kumbaro inspekton qendrën e kompostimit në Roskovec: 10 të tilla në vend brenda 2023-it

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Në Roskovec sapo ka përfunduar investimi për qendrën e kompostimit të mbetjeve të gjelbra.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro së bashku me kryetaren e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi inspektuan nga afër këtë investim.

“Tashmë mbetjet e gjelbra nuk mbeten më si papastërti rrugëve, po kthehen në pleh organik duke rritur cilësinë e prodhimeve të fushës, ulur kostot e grumbullimit dhe volumin e mbetjeve të depozituara në pikën fundore, si edhe krijuar të ardhura shtesë për bashkinë”, tha Kumbaro.

Ministrja theksoi se, së bashku me pajisjet e riciklimit të kartonit e plastikës, kjo pikë kthehet në një qendër model të ekonomisë qarkulluese.

Kumbaro theksoi se, “vitit 2023 është shumë i rëndësishëm për qeverinë sepse nisim një program të madh të ekonomisë qarkulluese, ku në të njëjtën kohë të bëjmë dhe investime për gjithë sistemin e integruar të menaxhimit të mbetjeve por dhe të nxisim stacionet e riciklimit dhe ato të kompostimit”.

Ajo tha se, “një pjesë e madhe e bashkive tona janë bashki bujqësore dhe si të tilla, sasia e madhe e mbetjeve organike apo e mbetjeve të gjelbra që prodhohen është e dëmshme që të përfundojnë nëpër kanale apo në kosha dhe të rrisin kështu kostot e menaxhimit të mbetjeve. Bashkia Roskovec është një e tillë dhe nuk është e para. E kemi nisur me bashkinë e Cërrikut, do vazhdojmë me bashkinë e Belshit dhe parashikojmë që brenda këtij viti të shtojmë të paktën dhe 5 bashki të tjera me të tilla stacione për të mbërritur brenda 2023-shit me 10 të tilla. Kjo është një metodologjinë që duhet ta përhapim gjithandej sepse nxit ekonominë qarkulluese, nxit riciklimin dhe ul kostot e menaxhimit”. /j.p/

 
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKEIV – Zelensky: Kthimi i atletëve rusë në Lojërat Olimpike, lë të kuptohet se terrori është ‘i pranueshëm’
Artikulli tjetërSTAMBOLL – Turqia organizon samitin e energjisë në shkurt