Ballina Flash

PD dënon sulmin ndaj gazetarit Elvis Hila

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Partia Demokratike reagoi sot për gazetarin Elvis Hila, i cili është goditur dje për shkak të detyrës.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo në një dalje për medie tha se, PD dënon aktin e dhunës ndaj gazetarit dhe u kërkon organeve ligjzbatuese të ndalojnë autorët.

“Vetëm duke kapur dhe ndëshkuar autorët apo porositësit e tyre, dora e atyre që guxojnë të godasin gazetarët, kur nuk u pëlqen diçka nga raportimi i së vërtetës, do të ndalet”, tha Garo.

Ajo theksoi se, PD shpreh shqetësimin për prirjen në rritje të dhunës apo abuzimit verbal ndaj punonjësve të medies, qofshin reporterë, fotoreporterë apo operatorë.

“U bëjmë thirrje policisë, gjykatave dhe organizatave të mbrojtjes së gazetarëve të kenë vëmendje dhe të ushtrojnë presionin mbi dhunuesit e Elvis Hilës apo të çdo kolegu apo kolegeje të tij”, tha Garo.

Garo u shpreh se, “ne u kërkojmë politikanëve, në krye të të cilëve qëndron Edi Rama, t’i japin fund gjuhës agresive dhe negative ndaj gazetarëve. Besojmë se është pikërisht kjo gjuhë që frymëzon guximin e atyre që ngritën dorë mbi Elvis Hilën apo të tjerë para tij”.

/gj.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakArrestohet punonjësi në Agjencinë e Barnave
Artikulli tjetër“Bregdeti ynë”, IKMT shemb objekte pa leje në Ksamil