TIRANË, 24 janar/ATSH – I. Vata/ Në Ditën Ndërkombëtare të Edukimit, Kuvendi i Shqipërisë prezantoi një nga programet më të rëndësishme të tij, dedikuar të rinjve, lojën simuluese “Këndvështrimi im”.
Loja, e përshtatur nga modeli i Parlamentit Zviceran, është një simulim i thjeshtëzuar i procesit ligjbërës, që synon të edukojë të rinjtë mbi çështjet aktuale me rëndësi politike, sociale apo ekonomike, si dhe të zhvillojë kulturën e debatit tek ata. Kjo do t’i ndihmojë për të zhvilluar këndvështrimet e tyre dhe për të mirëargumetuar mbi to.
Përmes këtij programi, që zbatohet nga Shërbimi i Edukimit Qytetar, gjimnazistët kanë mundësi të kryejnë rolin e deputetit, të ndërmarrin një nismë ligjore, ta shqyrtojnë atë në komision parlamentar, ta diskutojnë dhe ta miratojnë me shumicën e votave në Seancën Plenare.
Angazhimi civil dhe edukimi me vlerat e qytetarisë aktive janë hapat më të sigurt për zhvillimin e qëndrueshëm të një shoqërie demokratike dhe një nga mjetet më efektive për të edukuar të rinjtë dhe për t’i përfshirë në jetën politike të vendit, është loja “Këndvështrimi Im”.
/gj.m/























