TIRANË, 21 janar/ATSH/- Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar sot presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën në 17-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
“I përjetshëm kujtimi i Ibrahim Rugovës”, shprehet Rama në një postim në rrjetet sociale.
Ibrahim Rugova ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Në 1988, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare e cila ka kundërshtuar sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.
Që nga themelimi më 23 dhjetor 1989, Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që ka sfiduar drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.
LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.
Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja kanë përmbyllur kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.
Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe është rizgjedhur edhe më 2004.













