BERLIN, 21 janar /ATSH-DPA/ – Ministrat e Jashtëm të vendeve baltike i kanë bërë thirrje Gjermanisë që të dorëzojë tanke ”Leopard” në Kiev, një ditë pasi Berlini dështoi të angazhohej për këtë çështje në një mbledhje të mbështetësve të Ukrainës.
”Ministrat i bëjnë thirrje Gjermanisë që të sigurojë tanke ‘Leopard’ në Ukrainë tani. Kjo është e nevojshme për të ndaluar agresionin rus, për të ndihmuar Ukrainën dhe për të rivendosur shpejt paqen në Evropë”, shkroi në Twitter ministri i Jashtëm letonez, Edgars Rinevics.
Ai tha se apeli i tij u bë gjithashtu në emër të homologëve të tij nga Estonia dhe Lituania.
”Gjermania, si fuqia kryesore evropiane, ka një përgjegjësi të veçantë në këtë drejtim”, theksoi ai.
Pavarësisht presionit të konsiderueshëm nga Ukraina dhe shtetet aleate, qeveria gjermane nuk ka marrë ende një vendim për dërgimin e tankeve luftarake ”Leopard 2” në Kiev.
Berlini deri më tani ka refuzuar të veprojë në mënyrë të njëanshme, duke këmbëngulur se mund ta bëjë këtë vetëm në bashkëpunim me aleatët e tij, megjithëse thirrjet brenda dhe jashtë vendit po bëhen gjithnjë e më të forta për të ofruar armë më moderne dhe më të rënda për Kievin.
Përveç çështjes së tankeve gjermane, aleatë të tjerë perëndimorë që morën pjesë në mbledhjen në bazën ajrore Ramstein në Gjermani gjithashtu deklaruan mbështetje të mëtejshme për Ukrainën dhe njoftuan dërgesa të mëtejshme të armëve./ a.jor.























