TIRANË, 20 janar /ATSH/ Dy qendra të reja kompostimi u përuruan në bashkitë Roskovec dhe Belsh.
Lajmi bëhet i ditur përmes një njoftimi në rrjetet sociale nga ambasada gjermane në Tiranë ku thekson se, këto qendra janë të ndërtuara dhe pajisura me mjetet e nevojshme për të kryer procesin e kompostimit, me mbështetjen e Qeverisë Gjermane përmes GIZ Albania.
“Qendrat mundësojnë trajtimin e mbetjeve të gjelbra të fermave, serave dhe mbetjeve organike të familjeve. Këto qendra shërbejnë dhe për presimin dhe bërjen gati për treg të materialeve të riciklueshme si letër, karton, plastike etj”, thuhet në njoftim.
“Mbetjet organike zënë një përqindje të lartë në totalin e sasisë së mbetjeve të gjeneruara dhe futen në prioritetin kombëtar të ndarjes së mbetjeve në burim dhe kompostimit”, tha ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila ishte e pranishme në përurimin e tyre.
Kreu i Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim në Shqipëri, Judith Hoffmann theksoi se, ekonomia qarkulluese është e ardhmja, sidomos në sektorin e menaxhimit të mbetjeve, duke u mbështetur në 3 shtyllat kryesore, atë ekonomike, sociale dhe mjedisore.
Vlera e investimit e financuar nga Qeveria Gjermane përmes GIZ Albania është rreth 150 000 Euro dhe përfshin ndërtimin e fushave dhe pajisjen e tyre me traktor shumëfunksional dhe grirës.
/gj.m/























