TIRANË, 19 janar/ATSH/ Prefekti i qarkut Tiranë, Afrim Qendro vlerësoi sot se “gjatë vitit 2022 u përballuan me sukses situata të ndryshme të emergjencave civile në nivel qarku”.
Në analizën vjetore të punës së këtij institucioni ku ishte i pranishëm edhe zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, Qendro vlerësoi se “viti 2022 ka qenë një vit me rezultate impresionuese”.
“Unë do të veçoja sidomos përballimin me sukses të situatave të ndryshme në emergjencat civile, ku për herë të parë kishim 60% më pak zjarre se viti paraardhës, si dhe mirëmenaxhimin e sektorit të turizmit”, tha Qendro.
Ai theksoi se “falë punës së përbashkët janë përmbushur objektivat edhe në aspekte të tjera të përgjegjësive institucionale”.
“Besimplotë se do të punojmë me përkushtim edhe përgjatë këtij viti jo thjesht për të realizuar detyrat tona funksionale, por në çdo rast për të bërë më të mirën për qytetarët e qarkut Tiranë”, tha Qendro.
/m.m/























