Ballina Flash

Festivali i Posterit çeli sezonin e ri në Galerinë e Tiranës

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Sezoni i ri artistiko-kulturor 2023 në Galerinë e Artit Tiranë nisi me një eveniment ndërkombëtar në fushën e dizajnit, “Festivali Ndërkombëtar i Posterit Prishtina”. Ky ishte edicioni i dytë, i këtij festivali.

Galeria e Artit Tiranë mikpriti artistë të huaj dhe shqiptarë të cilët prezantuan 200 posterët e tyre me mesazhe interesante. Në një epokë ku shumëcka është virtuale, posterët tradicionalë, realë e të prekshëm, mbijetojnë falë kreativitetit të këtyre artistëve të rinj. Ata marrin përsipër të transmetojnë mesazhe të rëndësishme, kanë forcë edukuese dhe impakt shoqëror.

Kjo ekspozitë në Galerinë e Tiranës erdhi në kuadër të iniciativave të përbashkëta mes dy kryeqyteteve: Prishtinës dhe Tiranës.

Çmimin e parë në PIPF 2022 e mori artisti Peter Pocs, me çmim të dytë u nderua Dragan Bozhino dhe në vend të tretë u rendit Lindon Hajdaraj.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakQendro: Përballuam me sukses emergjencat civile
Artikulli tjetërCertifikohen 114 oficerë të rinj të sigurisë