Ballina Flash

Ndahet nga jeta Prof. Isuf Kalo

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Prof. Isuf Kalo, mjeku i njohur endokrinolog u nda nga jeta këtë të enjte.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj shprehu sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Prof. Isuf Kalo.

“Mora lajmin e trishtuar për ndarjen nga jeta të Profesor Isuf Kalos. Profesor Kalo ishte një personalitet i përmasave ndërkombëtare në mjekësi, një autoritet i padiskutueshëm në fushën e endokrinologjisë”, u shpreh Begaj.

“Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen, miqtë e shumtë që ai pati, kolegët dhe studentët që e patën model profesional dhe pacientët e shumtë të cilëve ai iu përkushtua. Të qoftë dheu i lehtë Profesor!”, theksoi Begaj

Edhe kryeparlamentarja Nikolla shprehur një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Prof. Isuf Kalo.

“Profesor Isuf Kalo, bashkëthemelues i shërbimit të diabetologjisë dhe endokrinogjisë në mjekësinë shqiptare; pedagogu që mësoi, formoi dhe edukoi dhjetra breza mjekësh; profesionisti që konfirmoi kapacitetet shqiptare në hartimin e politikave shëndetësore në nivel ndërkombëtar; mjeku i përkushtuar dhe njeriu i respektuar për të gjithë që e njohën, u nda nga jeta! Pushofsh në paqe, profesor!”, u shpreh Nikolla.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të prof. Isuf Kalos.

“Me hidhërim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të prof. Isuf Kalos. Bisedën e fundit me prof. Kalon e pata në mesin e dhjetorit, kur e ftova për të marrë pjesë në një prej atyre ngjarjeve që për profesorin ishin ”pikë e dobët”, akreditimi i institucioneve shëndetësore. Një proces që kishte pionier prof. Kalon dhe vizionin e tij”, theksoi Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.

Por, theksoi Manastirliu, “kontributi i profesor Isul Kalos është i paçmuar për mjekësinë shqiptare, në shërbimin e Endokrinologjisë në QSUT për disa dekada. U prehsh në paqe prof. Kalo”.

Prof. Isuf Kalo u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1964. U specializua në Endokrinologji dhe Sëmundje Metabolike në Kinë dhe në vitet 1966 –1967 nën drejtimin e Prof. Fejzi Hoxhes dhe në bashkëpunim me Prof. Hektor Pecin dhe Dr. Sejfulla Docin krijuan specialitetin e Endokrologjisë dhe sëmundjeve metabolike në Shqipëri, në kuadrin e “Klinikës Universitare të Terapisë Hospitalore”.

Bashkëpunëtor dhe pedagog në katedrën e terapisë hospitalore, në Endokrinologji, Prof. Kalo iu përkushtua kërkimit shkencor dhe karrierës akademike, duke mbrojtur me 1983 disertacionin për gradën kandidat i Shkencave Mjekësore me temë “Hemoglobina e Glukozuar Hb A1 në Diabetin Mellitus” dhe më vonë ndoqi të gjitha shkallët e kualifikimit akademik deri në marrjen e titullit Profesor Doktor.

Në vitet 1985-1991, në krye të klinikës dhe katedrës së Endokrinologjisë dhe sëmundjeve metabolike u bënë të mundura një sërë risish, si p.sh. ngritja e kabinetit të parë për edukimin terapeutik të pacientëve me diabet me infermierë me kohë të plotë, si edukatorë etj. si dhe përshtatja e praktikave perëndimore, si në aspektin akademik ashtu edhe atë spitalor.

Prof. Kalo ka kryer një sërë specializimesh jashtë shtetit, në Kinë, Rumani, Francë, Zvicër dhe në shumë shtete të tjera perëndimore.

Prof. Kalo u laureua me titullin “Punonjës i Shquar i Shkencës Shqiptare”, si dhe anëtar themelues i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës. Prof. Kalo ishte mjeku i parë shqiptar në stafin permanent të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kopenhagën, si drejtues i Programit Evropian për Diabetin dhe i Departamentit të Cilësisë të Sistemeve Shëndetësore në Evropë.

Ai ishte themelues i Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, ku inicioi vizione, ide dhe metoda bashkëkohore për sistemin tonë shëndetësor.

Prof. Kalo ka qenë konsulent i Bankës Botërore në projekte shëndetësore, konsulent i pesë ministrave të Shëndetësisë, lektor në Universitetin e Dubrovnikut, ekspert i Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë për programin e diabetit.

Prof. Kalo është autor i shumë publikimeve në shtypin mjekësor vendas dhe të huaj. Ai ishte anëtar nderi në shoqata mjekësore ndërkombëtare, si dhe të vendeve të veçanta të Evropës.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakForcim i identifikimit dhe mbrojtjes së personave të trafikuar
Artikulli tjetërSTRASBURG – Ligjvënësit e BE-së bëjnë thirrje që IRCG të jetë në listën e terrorizmit