Ballina Ekonomi

DPD: Pezullohet lundrimi për mjetet e vogla në portet kryesore

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme Detare për shkak të motit të përkeqësuar informon mbi situatën detare në porte dhe në radat e vendit.

DPD thekson se, për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit është i pezulluar lundrimi në Portin e Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe Shëngjinit deri në përmirësim të situatës.

“Në portin Durrës tragetet që operojnë në linjën Durrës-Bari-Durrës janë nisur nga porti i Durrësit trageti Rigel III dhe GNV, kurse nga porti i Barit në drejtim të portit të Durrësit janë nisur tragetet Rigel VII dhe Marina te cilat priten që të mbërrijnë rreth orës 11”, thuhet në njoftimin e DPD në rrjetet sociale.

Gjithashtu në portin e Vlorës për linjën Vlorë-Brindisi-Vlorë është nisur nga Porti i Brindisit trageti Ioan Star dhe pritet që të mbërrijë në portin e Vlorës rreth orës 14:00.

DPD bën të ditur se, në portin e Sarandës anijet pasagjere të linjës Sarandë-Korfuz-Sarandë nuk janë lejuar që nisen nga të dyja anët e porteve.

“Në portin e Shëngjinit situata është e qetë dhe pa probleme. Për anijet e peshkimit është pezulluar lundrimi deri në përmirësimin e situatës”, thekson DPD.

Situata meteorologjike detare do te përmirësohet ditën e sotme pasdite, por dita e shtunë do të shoqërohet me erë te fuqishme nga drejtimi J JP me shpejtësi mbi 35 nyje në orë dhe me det me lartësi dallge mbi 4 m.

Përmirësimi i motit do të fillojë ditën e diel datë 22 janar 2023.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEkonomi: 1227 shërbimet online, lehtësi e cilësi për qytetarët
Artikulli tjetërRama në Forumin e Davosit, pjesë e bashkëbisedimit “Dialogu në Ballkanin Perëndimor”