Ballina Flash

Grante për 4 zona të mbrojtura

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Mbrojtja, zhvillimi dhe menaxhimi efektiv i Zonave të Mbrojtura vijon të mbeten prioritet për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Një marrëveshje e rëndësishme u nënshkrua sot nga drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi dhe drejtoresha ekzekutive e PONT, Mirjam de Koning mbi miratimin e 4 granteve për vitin 2023 për 4 zona të mbrojtura në fokus të PONT.

Katër zonat e mbrojtura në fokus të PONT janë Parku Natyror Korab-Koritnik, Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë, Parku Kombëtar Shebenik dhe Peizazh i Mbrojtur Ujor dhe Tokësor i Liqenit të Pogradecit.

Gjithashtu, nga AKZM do të vazhdojë zbatimi i planit operacional 2023 për grantin 3-vjeçar dhënë nga PONT për Parkun Kombëtar të Prespës.

Grantet e PONT të zbatuara në vitin 2022 ndihmuan AKZM-në dhe AdZM-të (Administratat Rajonale të Zonave të Mbrojtura) të zhvillojnë një plan operacional të detajuar dhe buxhet respektiv për vitin 2023, të cilat janë në përputhje me prioritetet e identifikuara në planet e tyre të menaxhimit si edhe me analizën e menaxhimit efektiv për 2022 e kryer duke përdorur analizën METT, versioni 4 (Management Effectiveness Tracking Tool).

Zonat e mbrojtura janë themeli i ndërtimit të ruajtjes së natyrës si edhe synimi kryesor i qasjes së PONT.

Në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale nga AKZM bëhet e ditur se, “duke bashkëfinancuar deri në 50% të kostove operacionale me anë të granteve të lartpërmendura, PONT ndihmon zonat e mbrojtura të krijojnë funksione dhe operacione kyçe të menaxhimit, duke përfshirë monitorimin dhe ruajtjen e biodiversitetit, menaxhimin e vizitorëve, edukimin mjedisor dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore”.

PONT (Prespa Ohrid Nature Trust) është një fondacion që punon për të mbështetur Zonat e Mbrojtura (ZM) dhe aktorët e Mjedisit të Zonës së Zgjeruar Prespë-Ohër (WPOA) në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë dhe Zona e Ruajtjes Ndërkufitare Korab-Shara/Alpet Shqiptare (TCA), duke përfshirë korridoret ekologjike ndërmjet këtyre zonave në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBilanci 2022, Margariti: “Bonusi i Rijetësimit”, nisma më e suksesshme me 40 projekte fituese
Artikulli tjetërNga Teatri Kombëtar te Muzeu Hebraik dhe “itinerari fishtian”, Margariti rendit kantieret e kulturës