Ballina Bota

MOSKË – Manovra të përbashkëta ushtarake ruso-bjelloruse

MOSKË, 16 janar /ATSH-DPA/ – Forcat ajrore ruse dhe bjelloruse filluan sot manovrat e përbashkëta ushtarake.

“Të gjitha bazat ajrore ushtarake, zonat stërvitore dhe mbrojtja ajrore në Bjellorusi janë përfshirë në manovra”, sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Minsk, e cila shtoi se qëllimi i manovrave të përbashkëta taktike ishte përmirësimi i koordinimit luftarak.

Bjellorusia, e cila kufizohet me Rusinë dhe Ukrainën, është një aleate e ngushtë e Rusisë, por nuk i është bashkuar drejtpërdrejt luftës së presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës.

Ekziston një frikë e vazhdueshme në Ukrainë se Rusia mund të nisë sulme përtej kufirit Bjellorus, siç bëri Rusia në fillim të pushtimit të saj.

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko theksoi se ai nuk dëshiron të përfshihet në luftë, megjithëse Ukraina e sheh Bjellorusinë si një palë në konflikt.

Rusia ka mijëra trupa të stacionuara në Bjellorusi dhe gjithashtu kohët e fundit ka zhvendosur pajisje ushtarake në vend.

Pas sulmeve të reja masive me raketa në Ukrainë të shtunën, ushtria ukrainase njoftoi se raketat kishin ardhur edhe nga veriu, nga drejtimi i Bjellorusisë.

Drejtimi i paparishikueshëm i sulmeve balistike pengoi përpjekjet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe vonoi alarmet e sulmit ajror, në Kiev.//a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAMF: Avancimeve ligjore e rregullatore për tregjet financiare me Direktivat Evropiane
Artikulli tjetërNikolla: Mirënjohje Arabisë Saudite për njohjen e Kosovës