Ballina Ekonomi

Krifca: Bujqësia 66 % të strukturës së eksporteve, rritje me 18.1 % në vlerë dhe 15.6 % në sasi


TIRANË, 13 janar/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca bëri të ditur se eksportet e produkteve bujqësore shënuan rritje gjatë vitit 2022 si në vlerë dhe në sasi.

Gjatë konferencës së sotme për mediet në lidhje me analizën vjetore të punës dhe prioritetet e 2023-shit, ministrja Krifca tha se rritja në vlerë e eksporteve për vitin 2022 ishte 18.1 % , krahasuar me vitin 2021, ndërsa në sasi ishte 15.6 %.

Po ashtu, ajo bëri të ditur se ka një përmirësim edhe sa i takon raportit eksport-import.

“Raporti eksport-import është përmirësuar në 2022. Nga 1 me 3 që ishte në vitin 2021, në fund të vitit 2022 ky raport është 1 me 2.85”, tha Krifca.

Sipas saj edhe struktura e eksporteve ka pësuar një përmirësim cilësor si dëshmi e vlerës së shtuar.

”Rritja e eksporteve në vlerë ka si burim kryesor edhe rritjen e çmimit të produktit të papërpunuar për ato produkte me cilësi konkurruese. Bujqësia zë 66 % të strukturës së eksporteve, agroindustria 42.2 % të vëllimit në vlerë, pra gjithnjë e më shumë po shtojmë vlerë në vendin tonë. Peshkimi me gjithë vështirësitë me të cilat është përballur këtë vit, ka një rritje në sasi 2.3 %, ndërsa blegtoria 0.5 %”, u shpreh ministrja.

Sipas saj, janë disa kategori produktesh që po marrim sot vlerë të shtuar, si zarzavatet e përpunuara, peshku i konservuar, etj.

Ajo nënvizoi se për çdo njësi të shtuar eksporti të zarzavateve të përpunuara në sasi, është rritur me 4 herë vlera e këtij eksporti.

“Edhe vlera e tregtuar e frutave dhe perimeve që përbëjnë 88 % të shportës bujqësore ka qenë mjaftë e lartë që do të thotë se fermerët kanë mundur të marrin mundin e tyre dhe të përballojnë më mirë kostot e rritura të prodhimit. Agrumet janë rritur me 1.6% në vlerë për çdo njësi të eksportit”, deklaroi Krifca.

Krifca u ndal dhe në masat e marra nga qeveria për të ndihmuar ecurinë e eksporteve bujqësore.

“Pjesa më e madhe e masave të mbështetjes është e orientuar drejt fuqizimit të prodhimit dhe nxitjes ndaj eksportit. Po ashtu edhe infrastrukturën, serrat, pikat e grumbullimit, apo fabrikat e përpunimit e magazinat frigoriferike”, vuri në dukje ministrja.

Ministrja po ashtu theksoi se edhe falë marrëveshjeve politike janë hapur tregje të reja.

Në 2022 është eksportuar në 73 vende, 10 vende të reja krahasuar me vitin 2021.

Krifca tha se formalizimi i sektorit ka qenë një tjetër sfidë në 2022.
Sipas saj, në 2022 ka një rritje të numrit të fermerëve të pajisur me NIPT prej 35 %, duke çuar në total numrin në 85 mijë.

Edhe numri i të punësuarve u rrit me 6.5 %, ndërsa paga mesatare me mbi 15 %.

Krifca u shpreh se sfida e këtij viti është blegtoria.

“Blegtoria është sfida jonë kryesore, kemi mbështetur blegtorët dhe do bëjmë të njëjtën gjë edhe gjatë këtij viti”, theksoi ministrja.

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBUDAPEST – Inflacioni i Hungarisë rritet në 24,5%
Artikulli tjetërPërkujtohet atdhetari e publicisti Mihal Grameno